Grupet kriminale shqiptare në Angli duket se po ndryshojnë strategji, duke përdorur edhe femrat si korriere droge. I tillë është rasti i 30-vjeçares Marsela Kreka, e dënuar nga një gjykatë londineze me 8 vite burg, ndërsa bashkëpunëtori i saj, 23-vjeçari Artan Markaj, u dënua me 6 vite e 9 muaj burg.
Siç raportojnë mediat lokale, të dy ishin pjesë e një grupi kriminal të organizuar dhe u arrestuan qershorin e vitit të kaluar, pas hetimeve të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA). Ata u arrestuan në Barnet, në Londrën veriore. Markaj la shtëpinë e tij në Clarence Close, Barnet dhe hipi në Mini Cooper-in që drejtohej nga Kreka.
Policia dyshoi se ai kishte drogë nën rroba dhe e ndaloi sëbashku me Krekën, kur u ul nga makina disa rrugica më tutje. 1 kilogram kokainë e pastër u gjet nën sediljen e pasagjerit, ndërsa kur kontrolluan shtëpinë e tij gjetën edhe 4.5 kilogramë kokainë dhe 11,700 paund.
Sasia e drogës do të arrinte vlerën e 660 000 paundëve, nëse do të ndahej dhe do të shitej në rrugët londineze. Në momentin e arrestimit, Markaj pranoi se ishte shqiptar dhe se përdorte një kartë identiteti greke të falsifikuar. Ai po ashtu pranoi fajësinë për trafik droge dhe pastrim parash.
Ndërsa Kreka, e cila jetonte në Palmers Green, posedonte një patentë rumune me ermin Maria Danciu dhe pretendonte se i përkiste asaj. Por, hetimet konfirmuan se ishte false. Ajo mohoi edhe se ishte pjesë e grupit për trafikimin e drogës.
Hetuesi i lartë i NCA-së, Kevin Gee tha se, “nëse Markaj dhe Kreka do t’ia dilnin kjo drogë do të kishte përfunduar në rrugët e kryeqytetit dhe do të kishte gjeneruar përfitime të mëdha kriminale”.