Kreditorët janë ende në kërkim për të mbledhur faturat e papaguara që u ka ish-zinxhiri i supermarketeve “Carrefour”, që u largua dy vjet më parë nga Shqipëria, pas borxheve të mëdha që krijoi ndaj furnitorëve shqiptarë.
Kompania e tregtimit me shumicë Interlogistic, një ndër më të mëdhatë në vend, ka kërkuar përmes përmbarimit, që “Qendra e Distribucionit Ushqimor” (ish-“Carrefour”) t’i likuidojë asaj një detyrim prej 12 milionë lekësh apo rreth 90 mijë euro, fatura të papaguara.
Më herët, në fund të 2016-s, kanë kërkuar likuidimin e faturave edhe Cosmosi Center, për një detyrim prej 33 milionë lekësh (rreth 240 mijë euro) apo dhe punonjës, që ende kërkojnë t’u paguhet detyrimi për pagën.
Megjithatë, “Qendra e Distribucionit Ushqimor” rezulton të jetë larguar nga adresa e dhënë. “Debitori, shoqëria ‘Qendra e Distribucionit Ushqimor’ rezulton të jetë larguar nga adresat zyrtare të deklaruara, nuk na është njoftuar dhe nuk identifikohet asnjë adresë për komunikimin e akteve procedurale”, thuhet në njoftimin e përmbaruesit Praxis.
CMB Albania (sot “Qendra e Distribucionit Ushqimor”), që menaxhonte në Shqipëri zinxhirin e rrjetit francez “Carrefour” falimentoi rreth dy vjet më parë (në mars të vitit 2015), duke krijuar një zinxhir detyrimesh ndaj furnitorëve vendas, që sipas bilancit të saj të vitit 2013 arriti deri në 7 milionë euro.
Në prill 2015, CMB Albania, bëri të ditur se ndryshoi emrin në “Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit” dhe se do të përqendrojë aktivitetin e saj në biznesin e shitjeve me shumicë. Aktiviteti i shitjeve me pakicë nuk do të jetë më pjesë e portofolit të biznesit të saj në Shqipëri. Kompania premtonte se do të shlyente të gjitha detyrimet ndaj të gjithë furnitorëve vendas në Shqipëri.
Ndërkohë, në maj 2015, Grupi BALFIN njoftoi se mori ekskluzivitetin e “Carrefour” Albania, teksa mori përsipër të shlyente edhe 70% të detyrimeve (pjesa tjetër do të shlyhej gradualisht nga “Qendra e Distribucionit Ushqimor”).
Një vit më parë, rrjeti u supermarketeve të “Carrefour” u zëvendësua nga zinxhiri SPAR – një markë e njohur botërore dhe kryesues në vendet e Europës Perëndimore të tregtimit me pakicë.
Aktualisht “Qendra e Distribucionit Ushqimor” është aktive në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por kompania është e mbytur nga kërkesat për sekuestro.