Një tjetër anëtar i “Bandës së Durrësit” lë qelinë, pak muaj pas lirimit të bujshëm të kreut të saj, Lulzim Berishës. Gjykata e Lartë ka vendosur të lirojë me kusht Indrit Taullain, pas kërkesës së tij për të marrë trajtim mjekësor në shtëpi. Ashtu si Berisha, edhe Taullai është dënuar me 25 vite burg për disa krime të rënda. Lulzim Berisha (lexoni më poshtë në faqen e lapsi.al dosjen e plotë) u dënua fillimisht me burg përjetë. Më pas ky vendim u prish dhe u vendos dënimi i tij me 25 vjet burg.
Banda e Durrësit akuzohet se prej vitit 1998, ka kryer disa vrasje dhe vepra të tjera penale, si trafik droge, kanosje etj. Vrasja e parë e Lulzim Berishës, në bashkëpunim me Plaurent Dervishajn, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën ishte ajo e Dritan Sallakut.
Banda do të ndahej më pas dhe dy krahët e saj u përfshinë në një përplasje të ashpër, që nisi me vrasjen e Klodian Saliut. Lulzim Berisha u arrestua në vitin 2006 në Tetovë dhe u lirua pasi bëri 10 vjet burg, edhe pse u dënua për 5 vrasje. Në lirimin e tij ndikoi edhe Bashkia e Durrësit, e cila mori përsipër t’i siguronte një vend pune, çka ishte edhe një prej kushteve themelore që ai të linte qelinë.