Kreu i partisë së djathtë VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski mund të përballet me burg deri në 27 vjet nëse shpallet fajtor për pesë çështjet për të cilat akuzohet nga Prokuroria Speciale, SJO.
Para mbarimit të mandatit të Prokurorisë speciale më 1 korrik, SJO e ka akuzuar Gruevskin për çështjet e koduara me emrin “TNT”, “Titanik”, “Traktorija” dhe “Shamari”.
Në çështjen e parë, “TNT”, SJO e akuzon Gruevskin për “shpërdorim detyre”, për të cilin dënimi maksimal është tre vjet burg.
Në këtë çështje, ai dyshohet se ka urdhëruar prishje të një ndërtese, që po ndërtohej nga ish-aleati i tij politik, Fijat Canovski, si një akt hakmarrjeje politike pasi partia e Canovskit, Partia për të Ardhmen Europiane, PEI, u largua nga koalicioni i udhëhequr nga Gruevski.
Dosja e dytë, e koduar me emrin “Titanik”, është shumë më e ngatërruar dhe akuzon Gruevskin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë në VMRO-DPMNE për mashtrim gjatë zgjedhjeve në vitin 2013.
Në këtë rast, Gruevski akuzohet në tri aspekte: organizatë kriminale, ku ai përballet me një dënim nga një deri në pesë vjet burg; shpërdorim i aseteve gjatë një fushate zgjedhore, për të cilën dënimi më i ulët është pesë vjet; shkelje e lirisë së zgjedhësve ku dënimi minimal është tre vjet burg.
Në çështjen e tretë, “Traektorija”, Gruevski akuzohet se ka përfituar duke ndikuar në mënyrë të paligjshme ku ligji dënon një deri në tre vjet burg.
Për këtë çështje, SJO ka paditur Gruevskin dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët besohet se kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik duke dhënë një kontratë prej 570 milionë eurosh për të ndërtuar dy segmente autostradash te një kompani ndërtimi kineze.
Në rastin e katërt, “Tank”, Gruevski përballet me një aktakuzë identike me atë në “Traektorija”, e cila mund t’i shtojë nga një deri në tre vjet burg, nëse shpallet fajtor.
Çështja lidhet me blerjen e një limuzine luksoze prej 575,000 eurosh që dyshohet se u bë për të kënaqur dëshirat personale të Gruevskit.
Për më tepër, Gruevski tashmë është në gjyq për një çështje të pestë të quajtur “Shamari”, ku akuzohet se ka urdhëruar një sulm ndaj një kryebashkiaku të opozitës dhe selisë së tij në vitin 2013. Ai akuzohet se ka nxitur një vepër penale kundër rendit publik, për të cilin dënimi është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.
Duke mbledhur dënimet maksimale me burg për të gjitha çështjet së bashku, teorikisht, Gruevski mund të përballet me 27 vjet burg.
Ai gjithashtu është i dyshuari kryesor në një nga hetimet më të mëdha dhe më të ngatërruara që SJO nisi më 22 maj nën emrin e koduar “Talir”. Këtu, Gruevski dhe dhjetë anëtarë të tjerë të partisë së tij, dyshohet se kanë financuar ilegalisht ish-partinë në pushtet duke pastruar paratë.
Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva të enjten tha se SJO nuk do të ngrinte aktakuza në këtë çështje për momentin, por do të vazhdonte investigimin. VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij duke thënë se ishte një lëvizje klasike politike, antimaqedonase që synonte të rrëzonte 100 persona të lidershipit të partisë së tij.
Gruevski: Fundi i konstruktivitetit
Prokuroria e Posaçme e Maqedonisë ka bërë të ditur të enjten se do të ngrejë akuza kundër 94 personave fizikë dhe shtatë juridikë. Lëndët burojnë nga skandali i bisedave të pëgjuara telefonike, për çka Prokuroria tashmë ka proceduar një numër rastesh në gjykatë. Në lidhje me akuzën e re Prokuroria e Posaçme do të kërkojë masa paraburgimi për tetëmbëdhjetë vetë, në mesin e të cilëve janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-drejtori i Shërbimit të Sigurimit, Sasho Mijallkov, ish-sekretarët e Përgjithshëm të qeverisë, Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovski, ish-ministrat e Transportit, Punëve të Brendshme dhe Kulturës, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska dhe Elizabeta Kançevska Milevska. Kjo masë është kërkuar edhe për ish-zëvendëskryeministrin Vlladimir Peshevski dhe disa figura të tjera të njohura për opinionin publik maqedonas.
Rastet kanë të bëjnë me financimin e paligjshëm të partive, për manipulime të pronave, dëmtime të pronave të tjerëve, për shkatërrimin e paligjshëm të pajisjeve të përgjimit, për nxitje dhune dhe një sërë akuzash të tjera.
Por, ish-kryeministri Gruevski, i cili është kryetar i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, tha menjëherë më pas në një konferencë për gazetarët se Prokuroria e Posaçme është bërë një zyrë e Lidhjes Social Demokrate në pushtet dhe se akuzat paraqesin përndjekje të kundërshtarëve politikë. Zoti Gruevski theksoi se synimi është “që të thyhet VMRO-DPMNE-ja me qëllim të dobësimit të Maqedonisë, por se kjo nuk do të kalojë”, u shpreh ai, duke shtuar se “konstruktiviteti i shfaqur deri më tash, përfundon sot”.
Prokurorja e Posaçme, Katica Janeva u tha gazetarëve se edhe për tre vitet e ardhshme kjo Prokurori do të punojë në hapjen e lëndëve të reja parahetimore dhe gjyqësore, ndërsa ajo shpreson se institucionet shtetërore do ta zgjasin mandatin e Prokurorisë së Posaçme.
Kjo Prokurori u themelua si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës të arritur verën e vitit 2015 ndërmjet katër partive më të mëdha politike dhe të ndihmuar nga SHBA dhe BE. Qëllimi i themelimit të saj ishte dhënia fund e krizës dyvjeçare që kishte përfshirë vendin pas skandalit të përgjimeve. Dhe përqendrimi i veprimtarisë së Prokurorisë është bërë pikërisht mbi mijëra bisedat e përgjuara telefonike që asaj ia ka dorëzuar Lidhja Social Demokrate, atëherë në opozitë. Zonja Janeva ka bërë të ditur se vetëm pak mbi gjysma e këtyre bisedave janë analizuar dhe përpunuar.