Portugalia fiton finalen për vendin e tretë në Kupën e Konfederatave. U deshën 120 minuta lojë, por përballja me Meksikën përfundoi 2-1 në favor të skuadrës së trajnerit Fernando Santos, me luzitanët që e panë veten në disavantazh që në fillimin e pjesës së dytë, për shkak të autogolit të mbrojtësit Neto, i pafat në devijimin drejt portës së tij të topit të prekur nga Vela pas asistit të Chicharito Hernandez. Portugalia provoi të reagonte dhe ishte disa herë një hap larg barazimit me Pizzi dhe Martins, por Ochoa dukej një mur i pakalueshëm, të paktën deri në minutën e parë të shtesës kur një goditje e Pepes në krosimin e Quaresmas risolli rezultatin në ekuilibër.
Në këtë mënyrë takimi shkoi në kohën shtesë, kur u konkretizua edhe përmbysja e portugezëve. Martins mori një top në zonë dhe tentoi të kalonte Layun që ndaloi topin me dorë duke shkaktuar penallti. Nuk gaboi nga pika e bardhë Adrien Silva me Portugalinë që ia doli të ruante avantazhin edhe në minutat e mbetura ku pati edhe dy kartona të kuq, nga një për secilën skuadër me Nelsinhon dhe më pas Raul Jimenez që morën kartonat e dytë të verdhë duke lënë lojën para vërshëllimës përfundimtare.