Sëmundjet ishemike të zemrës dhe neoplazmat (tumoret) ishin përgjegjësit kryesorë për vdekjet në Shqipëri vitin e kaluar.
INSTAT publikoi dje se, numri i vdekjeve më 2016 në Shqipëri është 21.388, duke rezultuar me një normë vdekshmërie prej 74,3 për 10.000 banorë.
Në numrin e vdekjeve gjatë vitit 2016, femrat zënë 47,2% dhe meshkujt 52,8%. Krahasuar me vitin 2015, numri i vdekjeve ka rënë me 4,6%.
Vdekjet natyrale zënë 87,4% të totalit në vitin 2016, pasuar nga vdekjet e shkaktuara nga aksidentet me 2,1% dhe ato nga vetëvrasjet 1,1%. Koeficienti i vdekshmërisë amtare më 2016 ka rënë në 3,2 për 100.000 lindje të gjalla nga 9,0 që ishte më 2015.
Në vitin 2016, rreth 52,0% e vdekjeve janë shkaktuar nga “sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat për këtë periudhë janë ulur me 4,2%, në krahasim me 2015.
Ndër shkaqet e tjera që zënë peshë të rëndësishme në numrin e vdekjeve janë “tumoret” me 15,8% të totalit. Në vitin 2016, vdekjet e shkaktuara nga tumoret janë rritur me 2%, krahasuar me një vit më parë, ku nëngrupi i sëmundjeve “tumor në mushkëri” përbën 20,4%.
Në vitin 2016, grupmosha 50 vjeç e lart zë 92,5% të vdekjeve dhe grupmosha 85 vjeç e lart zë 25%. Numrin më të lartë të vdekjeve në grupmoshën 85 vjeç e lart e zënë femrat me 63,8%.
Në vitin 2016, janë regjistruar 277 vdekje nën 1 vjeç, që përbëjnë 1,3%, të totalit. Krahasuar me 2015, numri i vdekjeve të fëmijëve nën 1 vjeç është rritur me 18,9%.
Më 2016, për grupmoshën 70-74 vjeç ka rënie të numrit të vdekjeve me 15,7%, krahasuar me 2015.
Duke analizuar vdekshmërinë sipas qarqeve, norma më e lartë regjistrohet në Gjirokastër me rreth 121 vdekje për 10.000 banorë. Numri më i lartë i vdekjeve në këtë qytet vjen prej faktit se ka popullsinë më të plakur në Shqipëri.
Nga ana tjetër, vlera më e ulët regjistrohet në Qarkun e Tiranës me rreth 60 vdekje për 10.000 banorë.