KQZ rrëzon kërkesën për mandate të Idrizit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar kundër kërkesës së PDIU-së për të rinumëruar disa qendra votimi, ku ata pretentojnë se kanë vota të mjaftueshme për të nxjerrë mandatin e kryetarit Shpëtim Idrizi.
Në përfundim të diskutimeve, KQZ e ka rrëzuar këtë pretendim dhe kërkesën e PDIU-së, duke lënë jashtë Parlamentit të ri Idrizin.
Në fillim të kësaj mbledhjeje, Mesila Doda, ka kërkuar me faktet e saj mandatin e kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi në Qarkun e Tiranës. Ajo deklaroi në mbledhjen e KQZ-së, se ky institucion duhet të administrojë çdo provë të materialeve zgjedhore.
Doda u shfaq e sigurt, se janë 50 mijë vota të pallogaritura për PDIU në Tiranë. Ndërkohë, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji u shpreh se asnjë vëzhgues i PDIU-së, nuk ka shënuar kontestime në procesverbal.
Ndërkaq në fund KQZ-ja ka miratuar edhe tabelat përfundimtare të mandateve të deputetë për Tiranën.
Kështu PS do të ketë 18 deputetë, PD 11 deputetë dhe LSI-ja, 5 deputetë.

Artikulli paraprakVetëm 5 nga 22 ekipe kanë ndërruar trajner
Artikulli tjetërAlibeaj: Pse jam kundër dorëheqjes së Bashës