Nikola Kaliniç ka shprehur hapur dëshirën për të luajtur me Milanin. Sulmuesi kroat ka thënë se kërkon të largohet nga Fiorentina dhe ka shtuar se ka dëshirë të luajë me kuqezinjtë, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. “Faleminderit Fiorentinës për këto dy vite dhe për mundësinë që më dha, por unë dua të hedh një hap përpara dhe për këtë arsye dua të largohem. Di që Milani më kërkon dhe mendoj se kjo është një mundësi shumë e mirë për mua. E konsideroj të mbyllur ciklin tim te Fiorentina dhe tani dua Milanin”, ka thënë Kaliniç. 29-vjeçari Nikola Kaliniç ka luajtur 68 ndeshje me Fiorentinën, duke shënuar 27 gola.
John Terry u largua nga Chelsea në Premier League, por jo nga futbolli i luajtur. Mbrojtësi 36-vjeçar ka vendosur t’i bashkohet Aston Vilës, një kategori më poshtë për një pagë 68 mijë euro në javë. Për Terryn në fakt nuk kanë munguar ofertat në ligat më të forta, por dëshira e tij ishte ta vazhdonte karrierën në Angli me skuadrën nga Birminghami.