Klima e represionit ndaj biznesit që u nxit nga lufta antiinformalitet në vitin 2015 i dha efektet negative, edhe tek bizneset e huaja një vit më vonë. Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2016 numri i bizneseve të huaja pësoi rënie me 5%. Nga 5939 ndërmarrje të huaja që ishin aktive në vitin 2015, sipas INSTAT më 2016 rezultuan aktive vetëm 5637 ndërmarrje, raporton “Monitor”. Të dhënat e INSTAT tregojnë se 302 ndërmarrje të huaja kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2016. Më së shumti janë mbyllur bizneset me origjinë greke, italiane dhe ato nga Kosova. Numri i bizneseve greke është pakësuar me 22.8 për qind. Nga 675 ndërmarrje që raportoi INSTAT në vitin 2015, vitin e kaluar kanë mbyllur aktivitetin 154 biznese. Gjithashtu aktivitetin e kanë mbyllur edhe 74 biznese italiane dhe 19 biznese nga Kosova. Të dhënat e INSTAT për investitorët e huaj përputhen me perceptimet që patën organizatat e huaja të biznesit për klimën e rënduar që pasoi dy vitet e kaluara. Në vitin 2015 numri i bizneseve të huaja në raport me 2014 u rrit me 16%. Sipas aktivitetit ekonomik, 30% e ndërmarrjeve të huaja janë të përqendruara në sektorin e tregtisë dhe 30% të tjera në sektorin e shërbimeve dhe 20% janë në sektorin e industrisë. Një tjetër arsye që ka ndikuar në mbylljen e kompanive të huaja më 2016-n është dhe pastrimi i regjistrave nga tatimet (subjektet që kishin më shumë se 12 muaj pa kryer aktivitet u kaluan si pasive), ku doli në pah që një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrjeve italiane vetëm sa regjistronin aktivitetin në Shqipëri dhe më pas nuk kryenin asnjë veprim, një skemë e dyshuar kjo evazioni ose pastrimi parash nga kompanitë italiane. Sipas INSTAT, ndërmarrjet e mëdha me pronarë apo bashkëpronarë të huaj ushtrojnë aktivitetin ekonomik kryesisht në: call center, prodhim veshje e këpucë dhe aktivitetet bankare. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës. Bie në sy që rreth 77% e sipërmarrjeve të huaja janë me 1-4 punonjës, duke treguar nivelin e ulët të kompanive që vijnë në Shqipëri dhe rrjedhimisht edhe të investimeve që ata sjellin.
Kryesore
Continue to the categoryKoalicioni Euroatlantik – Një grupim që jep zgjidhje halleve të njerëzve...
Nga Namir Lapardhaja
Në një realitet politik të polarizuar dhe shpeshherë të dominuar nga zhurma populiste dhe retorika boshe, Koalicioni Euroatlantik, nën drejtimin politik të...