Hamit TAKA
“Më e rëndë se zhurma shurdhuese e njerëzve të dhunshëm është heshtja e frikshme e njerëzve të ndershëm”.
Martin Luter King
Shpesh, kur flasim për partinë, ku bëjmë pjesë, themi “familja jonë”. Familja është tempulli i vlerave dhe moralit, vendi ku promovohen më së miri përgjegjësitë sociale dhe solidariteti mbi bazën e dashurisë. Çdo anëtar i familjes duhet të dhurojë mbështetje, siguri e dashuri pa kompromis. “Familja është shkolla e detyrave… themeluar mbi dashurinë”, thotë Felix Adler. Ndërsa partia politike duhet të jetë shkolla e detyrave, themeluar mbi disa parime të përgjithshme të përbashkëta dhe besnikërinë. Ndërsa kohezioni i familjes qëndron te lidhja e gjakut dhe qumështit, kohezioni i partisë qëndron tek rezonanca e idealeve dhe interesave. Pra, partia mund të konsiderohet një familje e madhe vlerash.
Realisht, secili nga ne dëshiron të ndërtojë e të jetojë në një familje të shëndetshme dhe të suksesshme, ama, një sjellje e gabuar, një hap i nxituar, një gjest apo një fjalë jo e mirëmenduar, mund të cenojë e rrënojë mbarëvajtjen dhe jetëgjatësinë e saj. Pak a shumë edhe tek partitë këto janë faktorë esencialë për qëndresën dhe realizimin e synimeve të tyre. Si në familje ashtu edhe në parti secili nga anëtarët duhet ta ndiejë veten si në ekip, ku secili ka pozicionin dhe detyrat e tij, të cilat janë në shërbim të një qëllimi të vetëm, që është mbarëvajtja e familjes ose partisë, arritja e synimeve kryesore të tyre. Çdo anëtar i familjes duhet të dhurojë mbështetje, siguri e dashuri pa kompromis, ndërsa çdo anëtar partie duhet të dhurojë mbështetje, besnikëri, siguri edhe kompromis.
Unë pyes: a tregon situata e sotme në Partinë Demokratike se ajo ekziston dhe funksionon si një familje e madhe e vlerave? Sigurisht PD, e cila lindi si partia e shpresave dhe e ëndrrave të mëdha, ku shumica dërrmuese e shqiptarëve, të etur e të uritur për lirinë e munguar, për të drejtat e tiranizuara nga diktatura, për hapjen e vendit të tyre ndaj botës së zhvilluar e civilizuar, u vetidentifikuan si mbështetës të zjarrtë me tërë pasionin e shpirtit dhe dashurinë për jetën, duhej të ishte përherë e tillë, por realisht sot nuk duket si e tillë. Pas zgjedhjeve legjislative të 25 qershorit dhe para zgjedhjeve në PD të paracaktuara më 22 korrik, mjaft principe janë lëkundur e cenuar, për të mos thënë tronditur, nga akuzat e mllefet pa kufij të disa hierarkëve të vjetër, të cilët anëtarësia e thjeshtë dhe simpatizantët dikur i mbanin si shtylla të saj. Dëgjojmë akuza e anatemime, bile dhe thirrje histerike revolucionare, që dalin nga shtresimet 45-vjeçare të subkoshiencës të formimit ekstremist majtist. Veç këtyre hierarkëve, një kor mjeran pseudoanalistësh të mediave, gazetave e portaleve (me siguri i dirigjuar) këndon e qan me ligje për fatin e së nesërmes së PD-së.
Këto akuza, thirrje ekstremiste e mllefe nuk tregojnë gjë tjetër veç mjerimit politik, çakërdisjen për parajsën e humbur dhe groteskun e tyre. Thirrje të tilla histerike, flasin për një panik e nervozizëm të pakontrolluar nga humbja e privilegjeve, por që, me këtë tejkalim mase, nuk ua vë më veshin askush. Mesa duket hierarkët e vjetër nuk e kanë mësuar aksiomën e Eskilit: “kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e saj”. Por, për një gjë jam i sigurtë, nëse disa hierarkë e kanë thjesht llogari personale me liderin apo me njëri-tjetrin (tipike zonja Topalli), disa të tjerë, veç llogarive personale kanë llogari edhe ndaj të tretëve (për shembull, zonja Bregu). Skena të tilla absurdi, shkelmojnë moralin, etikën, kulturën demokratike dhe gjithçka të dëlirë që demokratët dhe shqiptarët e thjeshtë prodhuan gjatë viteve ’90, ’91, ’92. Sjellje të tilla s’kanë asnjë lidhje me parimet konservatore të djathta në platformën e ndërveprimit politik. Psikologji tipike shqiptare dhe ballkanase copëzuese, që rendin të prodhojnë armiqësi, ndarje, grupime dhe vrasje politike të liderit.
Humbësit e mëdhenj, pra oligarkët e PD, të cilët mbetën jashtë Parlamentit nga zgjedhjet e 25 qershorit, bëjnë sikur kërkojnë me ngulm, për interesat e partisë-familje së tyre, analizën e humbjes më 25 qershor 2017, duke e shpallur zotin Basha mbret të fajit.
Unë pyes: Për kë votuan më 25 qershor hierarkët e pakënaqur? Me siguri për Partinë Demokratike, jo.
Unë pyes: Kush nga ish-deputetët dhe anëtarët e Kryesisë së PD-së dha kontribut më të madh për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e radhës? Me siguri hierarkët karrigehumbur. Deklaratat e tyre kundër listave të kandidatëve dhe kundër firmëtarit të listave, të shumëfishuara në unison nga mediat, se përbënin lajm, ulën shumë besimin dhe moralin e votuesve tradicionalë të PD, si dhe të pakënaqurve nga qeveria, që mund të votonin për të. Zonja Bregu, e joshur edhe nga protagonizmi mediatik, që nga zgjedhjet e 2013-ës, më shumë ka folur jashtë Parlamentit, se brenda tij, duke atakuar kryetarin e PD-së, i zgjedhur sipas parimit “një anëtar, një votë” dhe duke nxjerrë në ankand PD-në, atë që e quan me fjalët e bukura: “partia ime”. Në opinion filloi të flitej për përçarje dhe shitje të figurave politike te kampi tjetër. Një pjesë e mirë e votuesve pro PD-së zgjodhën rrugën e mesme, abstenimin.
Unë pyes: Përse këto thirrje histerike kundër Bashës filluan pikërisht pasi nuk panë emrin e tyre në listën e kandidatëve për deputetë? Përgjigjja është: kur ata/ato janë në pushtet, lideri është i mirë, kur nuk janë më, lideri është i keq.
Unë pyes: Pse u prekën kaq shumë ish-deputetët e hequr nga lista? Përgjigjen e jep Noli: Kolltukofagët tanë janë si shushunjat, që t’i shkulësh nga kolltukët duhet t’u presësh jo vetëm kokën, por edhe këmbët, se kapen fort pas karriges.
Unë pyes: Pse nuk pajtohen hierarkët e vjetër me zëvendësimin e tyre nga emra të rinj me kulturë e dije bashkëkohore? Përgjigjen mund ta marrin nga vetja, duke i bëra pyetjen vetes: Sa vjeç isha unë dhe kush isha unë, kur u ula për herë të parë në karriget hijerënda të Parlamentit?… Në të vërtetë përgjigjen e ka dhënë opinioni publik që në humbjen e zgjedhjeve të qershorit 2013 deri në ato të 2017-ës, i cili ka kërkuar me ngulm rinovimin e figurave politike në PD.
Personalisht, si një qytetar i thjeshtë pa ofiqe dhe idhuj, mendoj se vendimi i Kryesisë së PD-së për shpalljen e dy kandidaturave, atë të Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit, është shumë i arsyetuar dhe i motivuar. Nuk ka si të mos më kujtohet thënia e Dritëro Agollit më 2005-ën, i shpallur si patriarku i socialistëve, se gjëja më e mirë e viteve të demokracisë ishte krijimi i KOP-it, ku Lulzim Basha ishte në krye të tij. Veç shkollimit në Perëndim, kulturës demokratike perëndimore, këshilltar ligjor në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara UNMIK në Kosovë, këshilltar special për tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut, Prishtinë, Kosovë, përgjegjës për përgatitjen e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës, pra një investim personal e ndërkombëtar, Basha ka edhe 12 vjet investim nga PD dhe për PD, duke përfshirë edhe drejtimin e dy ministrive të rëndësishme.
Edhe zoti Selami ka investuar dhe është investuar 25 vjet për këtë punë dhe nuk ka rezultuar të ketë qenë i përlyer në punë e veprime të pista. Të tjerët vetëm fusin shkopinj nën rrota, pa ia patur haberin politikës.
Duke parë realitetin e Shqipërisë së sotme, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, realitetin e politikës dhe strukturave shoqërore në Shqipëri; duke parë nevojën në Parlamentin e ri për një opozitarizëm të fortë dhe konstruktiv; duke parë një kastë të re, e cila duhet të çojë përpara reformat e rëndësishme për progresin e Shqipërisë, mendoj se demokratët stoikë dhe ata të lëkundurit, do të gjejnë urtësinë për të dalluar stinën politike në të cilën ndodhet vendi ynë dhe do të ndërmarrin hapat e domosdoshëm për bashkimin e jo përçarjen e familjes së madhe të demokratëve, me peshë historike në vendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.