Vrasja e Gaz Çollakut, Gjykata merr në pyetje Denis Shtrazën

Denis Shtraza, i akuzuari për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut mohon akuzën edhe para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Me kërkesë të Prokurorisë, i pandehuri Shtraza u pyet para togave të zeza për ngjarjen e rrëmbimit dhe më pas ekzekutimit të Çollakut. Ai i tha Gjykatës se kishte njohje me Çollakun, pasi kishin qëndruar disa muaj së bashku në një burg në Shqipëri, të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe nuk kishte arsye ta vriste, pasi edhe përshëndeteshin. Shtraza tha se, mbrëmjen e rrëmbimit ai ka qenë në Tiranë bashkë me të dashurën, për të cilën nuk pranoi ta identifikonte në sallën e gjyqit nga frika se do ta ekzekutonin.
Nuk ju them emrin e mbiemrin e të dashurës, tha Shtraza, nga frika se edhe ajo do ta pësojë si Ervin Dalipaj, duke ju referuar ekzekutimit të tij në rrugë. Edhe avokati mbrojtës, reagoi në këtë moment, duke i kujtuar Gjykatës se vëllai i të pandehurit, është larguar nga Shqipëria bashkë me familjen dhe ka fituar azil nga frika e ekzekutimit, pasi pas arrestimit të Shtrazës, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të shtëpisë, ku është plagosur një fëmijë i vogël.
Në vazhdim të seancës gjyqësore, Shtraza ju përgjigj edhe pyetjeve të Prokurorisë për momentin e shoqërimit nga policia mbrëmjen e rrëmbimit. Ai tha se, nga Tirana në Durrës ka udhëtuar me një furgon të çastit dhe më pas ëdhtë takuar me Ervin Dalipajn, i cili sipas tij, ka qenë duke e dërguar në shtëpi kur janë ndaluar nga policia. Në komisariat, tha Shtraza, më pyetën dhe tregova se ku isha momentin e ngjarjes dhe më pas më liruan bashkë me Ervin Dalipajn.
Ndërsa na bllokuan makinën me të gjithë aparatet celular që u gjetën brenda saj, për të cilat ishte pyetur edhe Ervin Dalipaj në atë kohë. Sipas tij, celularët nuk ishin të gjitha të tijat, pasi makinën e përdornin edhe shokët e tij në Durrës. Nga ana tjëtër, pas përfundimit të leximit të dëshmisë së Ervin Dalipajt, tashmë i vrarë, Gjykata me kërkesë të Prokurorisë administroi provat shkresore në këtë proces. Në mesin e procesverbaleve të administruara në dosje, ishin edhe deklarimet e Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit, të shoqëruar dhe marrë në pyetje mbrëmjen e zhdukjes së Gazmend Çollakut. Ndërkohë, Prokuroria i kujtoi Gjykatës, se në seancat në vazhdim do të sjellin edhe përgjigjen e GPS-it të makinës së Ervin Dalipajt, e cila ende nuk ka përfunduar.

Artikulli paraprakKapet në Angli shqiptari i dënuar për vrasje në Belgjikë
Artikulli tjetër1.2 ton drogë nga Shqipëria në Greqi, vetëm në qershor