1.2 ton drogë nga Shqipëria në Greqi, vetëm në qershor

Shqipëria vazhdon të jetë vendi kryesor për trafikun e drogës në Greqi. Sipas autoriteteve greke, gjatë muajit qershor në shtetin fqinj kanë hyrë 1213 kg kanabis apo 1.2 ton. Sipas analizës, kjo sasi droge ka hyrë nga kufiri i gjelbërt shqiptar vetëm përmes veriut të Greqisë, në zonën e Epirit. E gjithë lënda narkotike e kapur në muajin qershor kishte për destinacion tregun grek, kryesisht Athinën dhe ishujt duke qenë se është sezoni turistik. Në raportin e Policisë së Janinës theksohet gjithashtu se 42 persona janë arrestuar për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.
Ndërkohë, ditën e djeshme policia greke sekuestroi një ngarkesë të madhe droge në Igumenicë. Bëhet e ditur se droga ishte futur nga Shqipëria, ndërsa gjatë operacionit policor janë arrestuar 3 shqiptarë. Sipas mediave greke, autoritetet kanë sekuestruar 200 kilogramë kanabis sativa që po transportohej nga shqiptarët. Policia kishte marrë informacion për ngarkesën e lëndës narkotike që po transportohej dhe po mbanin në vëzhgim automjetin.
Autoritetet greke nuk kanë bërë të ditur identitetin e të arrestuarve, pasi hetimet po vazhdojnë. Hetuesit thonë se, kanë dyshime që në këtë rast, trafiku të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë. Të arrestuarit po merren në pyetje nga policia greke.
Në raportin e autoriteteve helene theksohet se, në vetëm 3 muajt e parë të 2017 në territorin grek kanë hyrë plot 3.5 ton kanabis shqiptar. Sipas policisë greke, këto janë shifrat e nxjerra nga kalkulimet e drogës së sekuestruar, por nuk përjashtohet asesi mundësia që tonelata të tjera ta kenë kaluar kufirin e të jenë shitur në tregun grek të narkotikëve. Në raport gjithashtu nënvizohet se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike të kapura kanë hyrë nga Shqipëria dhe kanë qenë të destinuara për tregun grek. Ndërkohë, vlera e sasisë prej 3.5 ton drogë të kapur në Greqi shkon në rreth 10 milionë euro.
Drejt Greqisë është trafikuar kryesisht kanabis, por nuk kanë munguar as rastet e kapjes së heroinës dhe kokainës, duke qenë se Shqipëria është kthyer në një vend tranzit për drogat e rënda.

Artikulli paraprakVrasja e Gaz Çollakut, Gjykata merr në pyetje Denis Shtrazën
Artikulli tjetërArtistët dhe përmbaruesit përplasen për çadrën e Cirkut