Skënderbeu kualifikohet

Skënderbeu është e vetmja skuadër e Superiores që arrin të kalojë më tej në Europa League. Korçarët fituan pa probleme dhe ndeshjen e dytë ndaj St.Julia së Andorës me rezultatin 5-0 dhe me shifrat e përgjithshme 6-0 dhe siguruan një vend për në raundin tjetër ku do të përballen me kazakët e Kairat Almaty. Gjërat më të thjeshta Skënderbeut ia bënë dhe vendasit, me Vujoviç që realizoi golin e parë me fanellën e korçarëve falë dhe një gafe të portierit të St.Julias që në minutën e 2-të. Pavarësisht rasteve të krijuara, Skënderbeu mundi të shënojë golin e dytë vetëm në minutën e 41-të me Adeniyi që të vendosur në shtyllën e dytë shtyu për në rrjetë një harkim në zonë të Radasit.
Në pjesën e dytë, Skënderbeu menaxhoi mirë lojën dhe madje krijoi dhe raste të tjera për gol, por të tretin e gjeti vetëm në të 79-tën pas një autogoli të Britos, me skuadrën nga Andora që i bëri një tjetër dhuratë shqiptarëve. Minutat e fundit thjesht thelluan goleadën e korçarëve, me Shkodrën dhe Latifin që iu shtuan listës së goleadorëve, aq sa për të parin ishte dhe goli i parë me fanellën e Skënderbeut. Një fitore e lehtë siç pritej për korçarët, që bënë detyrën me St.Julian dhe provën e vërtetë do ta ketë tashmë në raundin e dytë kundër Kairat Almaty, që në të kaluarën ka mundur të eliminojë dy herë klubet shqiptare.

Artikulli paraprakTritan Shehu: Rama, autori i shndërrimit të Shqipërisë në Republikë kanabisi
Artikulli tjetërPrishtina jashtë Europa League