Prishtina jashtë Europa League

Paraqitje shumë më e mirë e Prishtinës në ndeshjen e dytë ndaj Norrokoping në Europa League, ndonëse skuadra kryeqytetase u mposht me rezultat 1-0 nga suedezët në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Klubi më i madh në Kosovë tashmë e ka mbyllur aventurën e parë historike në Europa League, pasi është eliminuar nga 13 herë kampioni i Suedisë me rezultat të përgjithshëm 6-0 nga të dyja ndeshjet.
Sidoqoftë paraqitja në takimin e kthimit ishte mëse e dinjitetshme nga bardhekaltërit, të cilët përsëri e vuajtën mungesën e përvojës përballë një kundërshtari dukshëm më kualitativ. Me tri ndryshime në formacionin startues, krahasuar nga ndeshja e parë në Suedi, të cilën Prishtina e humbi me rezultat të thellë 5-0, këtë radhë skuadra e Arsim Thaçit luajti më e tërhequr prapa, duke ia lejuar mbajtjen e topit skuadrës kundërshtare, e cila po ashtu nuk startoi me formacionin më të mirë të mundshëm.
Megjithatë 25 e minutat e para kaluan nën dominimin e mysafirëve, të cilët qarkulluan topin, por nuk arritën të krijojnë diçka serioze para portës. Prishtina guxoi për herë të parë, duke dalë rrezikshëm përpara në minutën e 26-të, kur pas një harkimi nga krahu i djathtë Liridon Leci gjuajti me kokë jashtë.
Dy minuta më pas Liridon Fetahaj tentoi me goditje nga jashtë zonës, por gjuajtja e tij përfundoi lart mbi portë. Në minutën e 31 Norrkoping pati rastin e vetëm të rrezikshëm në pjesën e parë përmes mesfushorit Gudmundur Thorarinsson, i cili me kokë shpërdoroi harkimin e mirë nga Eliasson.
Rasti më i mirë i Prishtinës në këtë ndeshje ishte ai i Lorik Maxhunit në minutën e 38-të. Maxhuni për pak sa nuk i gëzoi tifozët në stadium, me një goditje të fortë nga distanca, por për fat të keq goditja e tij vetëm e ledhatoi shtyllën e djathtë pingule.
Me rezultat 0-0 përfundoi pjesa e parë, kurse e dyta filloi pothuajse në mënyrë identike me atë të parën. Rasti i parë në pjesën e dytë i shfaqet sulmuesit Basid Khalid, i cili pasi mori një pasim të mirë nga Lorik Boshnjaku, qëlloi vetëm rrjetën e jashtme. Kur dukej se Prishtina kishte marrë gjithçka nën kontroll, pikërisht atëherë erdhi në shprehje përvoja e kundërshtarit. Një gabim i kapitenit Armend Dallku i kushtoi vendasve me gol, pasi sulmuesi Sebastian Andersson përfitoi mjaft mirë, për ta kaluar Norrkoping-un në epërsi.
Deri në fund Prishtina u mundua që të paktën të nxjerrë një barazim, por pavarësisht ndërrimeve të bëra dhe tentimeve të shumta, nuk arriti ta shmangë humbjen e dytë në debutimin e saj në Europaligë. Me Trepçën 89 gjithashtu të eliminuar tashmë skuadrat nga Kosova e përfundojnë aventurën e tyre të parë evropiane dhe koncentrimin e kthejnë nga një tjetër kampionat i gjatë vendor që do t’i presë në vazhdim, me shpresën se do të kenë paraqitje më të mira në Evropë vitin e ardhshëm.

Artikulli paraprakSkënderbeu kualifikohet
Artikulli tjetërBerat Gjimshiti drejt Beneventos