Konte i acaruar me Lukakun

I zhgënjyer dhe i irrituar, kështu e përshkruajnë mediat angleze Antonio Conten, trajnerin që çoi Chelsean drejt titullit kampion në Premier League. Duket se pika që ka mbushur kupën duke vënë në diskutim qëndrimin e trajnerit italian në “Stamford Bridge” është transferimi i Romelu Lukakut te rivalët e Manchester United.
Sulmuesi i Everton me një të kaluar te Blutë e Londrës, ishte në vendin e parë të listës së blerjeve të Antonio Contes, që kishte nisur kontaktet me Lukakun, futbollist me të cilin madje kishte nisur edhe projektimin e skemave dhe planeve teknike për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi shkoi nën urdhërat e Mourinhos, duke e lënë sërish anonime merkaton e Chelseat, që i duhet të bëjë llogaritë edhe me lamtumirën plot polemika te Diego Costas, që duket i destinuar të zbarkojë në Kinë para se të rikthehet te Atletico e Madridit.
Veç të tjerash klubi londinez, nuk po ja arrin të realizojë objektivin për të arritur te ylli i Monaco, Timoue Bakayoko dhe Virgil Van Dijk i Southampton, ndërsa Juventusi duket se i ka mbyllur derën për Alex Sandron.
Për këtë arsye Conte, siç shkruajnë në Angli, duket i detyruar të devijojë vëmendjen te dy ish-juventinë, Alvaro Morata i Realit të Madridit, dhe Fernando Llorente që aktualisht është te Swansea pa hequr nga vëmendja edhe sulmuesin e Torinos, Andrea Belotti. Kjo pasi duket e destinuar të dështojë edhe tentativa për Alexis Sanchez, duke qenë se Arsenali pas insistimit të Manchester Cityt bëri të ditur publikisht se nuk do ta shesë sulmuesin te asnjë klub i Premier League. Duket se janë të gjitha gjasat për një krizë mes Conte-s dhe Chelseat që pa nisur sezoni, edhe pse trajneri italian i ka garantuar besnikëri bosit Roman Abramovich.

Artikulli paraprakInteri përcakton prioritetet në merkato
Artikulli tjetërUnited nuk heq dorë nga Perisiç