Manchester United vazhdon punën për përforcimin e skuadrës. Tekniku i “Djajve të Kuq” po kërkon ta mbyllë sa më shpejt çështjen e merkatos në mënyrë që të ketë një organikë të plotë, përpara se ekipi të nisë fazën përgatitore. Mbrojtja është reparti ku po punohet më shumë. Pas transferimit të Lindelof, United ka paraqitur sërish një tjetër ofertë për Nelson Semedo, që kap shifrat e 40 milionë eurove. Tashmë pritet një përgjigje nga ana e Benficës, klub në të cilin aktivizohet 23-vjeçari.
Evertoni ka nisur të kërkojë një sulmues pasi ylli i skuadrës, Romelu Lukaku është pranë transferimit në Manchester United. Sipas “Calciomercato.com”, skuadra e Evertonit, si pasardhës të belgut, ka shfaqur interesim që ta transferojë sulmuesin e Arsenalit, Olivier Giroud. Toffees janë të gatshëm t’i ofrojnë Arsenalit 20 milionë funte (23 milionë euro) për Giroud. Përveç Evertonit, francezi ka oferta edhe nga West Ham dhe Marseille. Pritet të shihet se cilin klub do ta zgjedhë Giroud për ta vazhduar karrierën.
Liverpool ka njoftuar rinovimin e kontratës me talentin Trent Alexander-Arnold. Tekniku i “The Reds” Jurgen Klopp i vlerëson maksimalisht aftësitë që ka mbrojtësi 18-vjeçar. Në fjalën e tij, i riu u shpreh i lumtur që do të vazhdojë të jetë pjesë e Liverpool.
Arsenal kërkon të transferojë Aymen Barkok. Forma e mirë që ka treguar mesfushori i Eintracht Frankfurt përgjatë këtij sezoni në kampionatin gjerman ka tërhequr vëmendjen e klubit anglez. “Topçinjtë e Londrës” kanë paraqitur ofertën e tyre për 19-vjeçarin, që kap shifrat e 10 milionë euro.
West Ham në ndjekje të Demerai Gray. Mediat britanike raportojnë se në drejtim të mesfushorit të talentuar të Leicester City, është paraqitur dhe një ofertë prej 17 milionë eurosh. Hamers në ditët në vazhdim pritet të zhvillojë dhe një takim me Leicester, në mënyrë që të tentohet gjetja e akordit.