Sulmuesi i Sampdorias shkon te Sevilia

Luis Muriel mund të quhet një lojtar i Sevilias. Sulmuesi kolumbian i Sampdorias që prej javësh ishte në shënjestrën e Sevilias më në fund do të nisë një aventurë të re në një klub ambicioz si Sevilia në Primera Division. Palët arritën akordin për 20 mln euro plus 4 mln të tjera bonuse, ndërsa Muriel do të firmosë për 5 sezone dhe me një pagë të dyfishuar në krahasim me atë te Sampdoria. Për Sevilian ky është përforcimi më i rëndësishëm deri tani duke parë largimet e Vitolo dhe Iborras.
Mbaye Niang pritet të bashkohet sërish me Sinisa Mihajloviç. Sulmuesi francez që nuk është në planet e Montellas te Milani po kërkon një sistemim të ri dhe deri tani ishte në bisedime me Everon, por gjithçka është frenuar. Tani ka hyrë në lojë edhe Torino që me kërkesë të trajnerit serb dëshiron ta afrojë sulmuesin me një formulë huazim me të drejtë blerjeje të detyrueshme. Nuk përjashtohet përfshirja e lojtarëve të tjerë mes dy klubeve në këtë operacion.
Pasi ka arkëtuar 100 mln euro nga shitjet, Roma tashmë po mendon për përforcimin e skuadrës. Prej ditësh Monchi po negocion me Sassuolon për sulmuesin Deffrel, por pretentimet e larta ekonomike të tyre e kanë detyruar njeriun e merkatos së Romës të shikojë për alternativa. Emri i ri është ai i Hatem Ben Arfa, sulmuesit francez, i cili nuk është në planet e Emery te Paris Saint Germain.
E ardhmja e talenti brazilian Luan do të jetë Seria A. Pas sulmuesit 24-vjeçar është vënë Interi që në bashkëpunim me Sampdorian duan ta transferojnë lojtarin brazilian të Gremios në kampionatin italian. Për të mos përsëritur gabimin me Gabigol, zikaltërit mund t’i ofojnë 22 mln euro Gremios dhe më pas ta lënë në huazim për një sezon te Sampdoria në mënyrë që sulmuesi të përshtatet me Serinë A. Operacioni mund të favorizohet edhe nga fakti që agjenti i Luan është Kia Jorabchian, njeriu i afërt i Suning.

Artikulli paraprakMorata në dilemë
Artikulli tjetërKush e zgjedh mandatarin e qeverisë së Kosovës?