Llullaku shkëlqen menjëherë te Tobol

Azdren Llullaku e nis në mënyrën më të mirë aventurën te klubi i tij i ri, Tobol Kostanay, ku është huazuar nga skuadra e Astanas për pjesën e dytë të sezonit. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare debutoi me gol që në ndeshjen e parë me skuadrën e tij të re, duke i dhuruar fitoren 1-0 në transfertën e vështirë të Irtysh Pavlodar. Llullaku e gjeti rrugën e rrjetës 7 minuta nga fundi i takimit, duke i siguruar skuadrës së Tobol Kostanay një 3 pikësh që e ngjit në vendin e 5 të klasifikimit në Superligën e Kazakistanit. Tobol nuk fitonte që prej 4 ndeshjesh dhe me këtë sukses e ngushton në -3 pikë diferencën me vendin e tretë, që siguron edhe biletën e fundit europiane në Europa League. Llullaku e nisi aventurën kazake në muajin janar te skuadra e Astanas që preferoi ta huazonte disa muaj për t’i krijuar më shumë hapësira. Me shumë mundësi, Llullaku do të rikthehet te skuadra më e suksesshme e Kazakistanit në fund të sezonit për të synuar një vend në formacionin titullar.

Artikulli paraprakQazim Laci drejt huazimit, në provë te Ajaccio
Artikulli tjetërWayne Rooney: U riktheva te Everton për të arritur suksese