Ndonëse është piku i sezonit të fruta-perimeve, në Shqipëri qytetarët po hasin pamundësinë për t’i konsumuar ato. Kjo për shkak të çmimeve tejet të larta që kanë pësuar gjatë muajit qershor, si dhe në vijim. Edhe produktet bazë si frutat, perimet, vezët, qumështi, djathi e vaji po shndërrohen gati në produkte “të ndaluara” për shqiptarët. Çmimet e ushqimeve dhe lëndëve djegëse kanë shënuar rritje përgjatë muajit qershor, duke bërë që ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit të jetë 2,2%, raportoi INSTAT. Një vit më parë çmimet kanë qenë më të lira për konsumatorët, teksa ky ndryshim ishte 1,2%. Pavarësisht rritjes, Indeksi i Çmimeve të Konsumit mbetet poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë, prej afër 3%. Rritja pritet të vazhdojë edhe në muajin korrik, teksa shumë produkte janë shtrenjtuar për shkak të thatësirës, por edhe mbarimit të sezonit. Për shembull, një kg sallatë kushton aktualisht në tregun e pakicës 250 lekë, nga më pak se 100 lekë që ishte deri pak javë më parë. Edhe produkte të tjera ushqimore kanë shënuar rritje. Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,87 pikë përqindje. Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “transporti” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “komunikimi” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin qershor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,1%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9%, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,8%, “transporti” dhe “shërbimi arsimor” me 0,7%, “argëtim dhe kulturë” me 0,6%, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,8%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 12,1%, “qumësht, djath e vezë” me 4,3%, “peshk” me 3,7%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,7%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,9%. Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,3%. Krahasuar me maj 2017 ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë” me 0,7% secili, pasuar nga grupet “veshje dhe këpucë” me 0,5%, “transporti” me 0,4%, etj. Rritje mujore e çmimeve vërehet në grupet “pije alkoolike dhe duhan” dhe “mallra dhe shërbime të tjera” me 0,1% secili.
Me çmimet më të lartë në Europë
Shqipëria shënoi ritmet më të larta të rritjes së çmimeve të ushqimeve në rang europian edhe gjatë muajit prill dhe maj. INSTAT publikoi indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për prillin 2017, i cili ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ky indeks rezultoi 3.6 për Shqipërinë në muajin prill, niveli më i lartë në Europë sipas INSTAT. Sipas INSTAT, ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,0%; pasuar nga grupet “Transport” me 3,5%; “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2%; “Argëtim dhe kulturë” me 3,0%, etj. Inflacioni për muajin maj u rrit lehtë në 2%, pasi kishte pësuar rënie për tre muaj radhazi. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, luhatja e lehtë nga niveli 1.9% i muajit prill tregon se inflacioni ka gjetur një lloj stabiliteti pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në një afat më të gjatë krahasimi, inflacioni ka një tendencë të qartë në rritje, po të kemi parasysh se një vit më parë ishte në nivelin 0.7%. Kontributin kryesor në inflacion vazhdon ta japë grupi i ushqimeve, që për muajin maj regjistroi një rritje të inflacionit në 3.8%, nga 3% që kishte qenë për muajin prill. Produktet me rritjen më të lartë të çmimeve krahasuar me një vit më parë janë fruta-zarzavatet, sheqeri, vezët dhe prodhimet e bulmetit. Shtrenjtimi i produkteve ushqimore, megjithatë, u balancua nga zbutja në grupin “Transporti”, ku inflacioni ra në 2.6%, nga 4.3% që kishte qenë në muajin prill, i njëjti trend vijoi edhe gjatë majit.