Revolta qytetare tani edhe në Facebook-un e Ramës

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në faqen e tij Facebook, u kërkoi qytetarëve që t’i shkruanin lidhur me eksperiencat e tyre negative “të jetuara, të dëgjuara nga familjarë a miq, në zyrat e shtetit”. Por sikundër ndodh zakonisht, të shumta kanë qenë komentet nga ana e qytetarëve, të cilët i kanë shkruar. Por kryeministri vetë nuk ka hezituar t’u përgjigjet shumicës prej reagimeve të qytetarëve.
Ndër komentet më pikante ishte i një qytetari ku i shkruan: “Ver dorë të lutem tek legalizimet në Durrës, na tërbuan fare, nuk janë të aftë të bëjnë punën, kam 4 vjet që merrem me to”.
Kryeministri nga ana e tij i është përgjigjur që t’i lërë një numër kontakti dhe do ta ndjekë si rast.
Rama: Fol konkretisht, lër edhe numrin e celularit dhe ta ndjekim.
Replikat e plota:
Qytetari: Jashtë teme, por kisha diçka, të dilni sa më pak në TV se na hoqët trunin.
Rama: Ziko, kjo është më e thjeshta mor mik, sa të më shohësh më pushkato me telekomandë dhe s’ankohesh dot hiç.
Qytetari: Këto rregullohen lehtë, por punësimi dhe mirëqenia është në ditë të hallit Kryeministër.
Rama: Alfred, konkretisht ke ndonjë arsye që e thua këtë, se duke të parë me birrë, Marlboro dhe celular, nuk dukesh aspak në hall miku im.
Qytetarja: Se di sa apo kë do të ndihmojë, por mami im ka 1 vit e disa muaj që ka dalë në kemp pasi është operuar nga një tumor në stomak. Përllogaritjet e kempit ia bënë gabim që në fillim, duke i lënë disa vite pa i përllogaritur dhe ka një vit që shkon dhe pyet tek zyra përgjegjëse dhe i thonë hajde pas kaq javësh apo pas kaq muajsh. Ajo është e sëmurë, megjithatë ka shumë vullnet dhe durim dhe s’lë derë pa trokitur për të drejtën e vet, por mua më dhembset që në mes të Tiranës ta sorrollatin kaq.
Rama: Është tmerr e di
Qytetarja: Z. Kryeministër, duhet të vini dorë dhe tek fasonët, vërtet janë biznese private që drejtohen nga investitorë të huaj po kjo nuk do të thotë që punonjësit me ato rroga minimale të trajtohen si skllevër, të epokës së gurit. I lutem Ministrisë së Punës të shikojë dhe rrogat, sepse po abuzohet me atë vendimin e qeverisë për pagat në fasone.
Rama: Më falni ju jeni punonjëse vetë apo e keni me të dëgjuar këtë historinë e skllavërimit?
Qytetari: Hipoteka Vlorë, pasi rri 1 orë në radhë, pret faturën dhe të duhet të ikësh 1 km larg te një bankë të bësh pagesën e pastaj ta sjellësh përsëri faturën në hipotekë. Shumë km dhe kohë e humbur për një sportel arke në hipotekë.
Rama: Kur isha në Francë, pagesa e shërbimit për dokumentet bëhej në një vend tjetër shumë km larg dhe dokumentet merreshin ditë tjetër, me radhë natyrisht se pa radhë s’kam parë askund.
Qytetari: Eksperienca negative që s’po mbaron kurrë. Jam i punësuar në biznes privat dhe trajtohemi si skllevër. Pa orare të caktuara, pagesa sipas qejfit të pronarit. Pa asnjë respektim të Kodit të Punës, pa kontratë pune, me pak fjalë punonjësi në privat është skllav dhe nuk e sheh gjëkundi dorën e shtetit. Hajt me te mira.
Rama: Ah, me te mira ti që nuk thua as ku punon, as kush është pronari yt! Domethënë skllav që pranon skllavërinë i thonë kësaj.
Qytetari: Provimet e patentave, veç me lekë merren, duhen rregulluar. Një rrezik i madh çdo person që merr patentën me lekë në rrugët tona.
Rama: E di, katastrofë është!
Qytetari: Ver dorë të lutem tek legalizimet në Durrës, na tërbuan fare, nuk janë të aftë të bëjnë punën, kam 4 vjet që merrem me to.
Rama: Fol konkretisht, ler edhe numrin e celularit dhe ta ndjekim.
Qytetari: Jam në pension të parakohshëm, dalë nga Policia e Shtetit, marr 6000 lekë, më mbajnë 50% të pensionit minimal,me arsyen që disponoj tokë. Ç’lidhje ka toka me derdhjen e kontributit që kemi derdhur? Jetohet me 6000 lekë?
Rama: Toka ka një lidhje i dashur, sepse duke e punuar nuk jeton me 6000 lekë po me shumë më tepër.
Qytetari: Eksperiencë personale, 1. materniteti i Elbasanit, ma shqeu bluzën mjeku derisa m’i mori 100 mijë lekë, do të thuash pse ja dhe? Kisha gruan brenda dhe kisha frikë çfarë mund t’i ndodhte. 2. Drejtoria Arsimore Elbasan nuk e përfilli fare testimin për mësues, punësoi mësues, të cilët nuk morën pjesë fare në testim. 3. Zyra e Sigurimeve Shoqërore Elbasan në lagjen e banesave për rajonin e llixhave dhe tudanit, pasi e zvarritën dosjen për më shumë se një vit thanë – që t’i biem shkurt, 500 mijë lekë po nuk deshe të sorrollatesh nëpër gjyqe të kërkosh ditët e punës.
Rama: Besnik, pasi ia dhe duhet ta kishe denoncuar; e dyta nuk ndodh sepse është e pamundur të bëhet, pasi çdo emërim mësuesish kontrollohet online; e treta është njësoj si e para.
Qytetari: E ke gabim. Nuk është vetëm një. Janë më shumë. Në jetë duhet të kesh dështime që të mësosh se si duhet rregulluar më pas. Po nuk dështove, nuk ke rimëkëmbjen.
Rama: Po ti thuaj edhe më shumë, po të paktën një të kishe thënë si fillim.

Artikulli paraprakSi të bëhet Ballkani me treg të përbashkët
Artikulli tjetërPse ra projekti i zgjedhjeve të lira