Kur ka kaluar një javë nga zhdukja e biznesmenit Adriano Jahaj dhe ndihmësit të tij Ariseld Maze, policia ende nuk e ka të qartë se ku duhen fokusuar hetimet për këtë rast. Edhe pse nuk ka një denoncim zyrtar, Policia e Durrësit po vijon hetimet, pasi familjarët kanë deklaruar se ata janë nisur nga Durrësi.
Në këto kushte, krahas kërkimeve, Policia e Durrësit ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Megjithë angazhimin maksimal të strukturave të ndryshme për gjetjen e tyre, deri sot fati i tyre mbetet mister.
Deri dje, kërkimet ishin fokusuar në drejtime të ndryshme nga toka, ajri dhe deti, por rezultuan të dështuara. As skafi dhe asnjë shenjë nga dy vlonjatët e zhdukur, të cilët dyshohet se kanë dalë në det në bregdetin e Durrësit më datën 3 korrik.
Në kushtet kur nuk ka asnjë shenjë të skafit dhe dy të zhdukurve, Policia e Durrësit ka ngritur pistat e hetimit: atë të mbytjes në det dhe të zhdukjes së qëllimtë të dy vlonjatëve. Sipas Kapitenerisë së Durrësit, në kohën që rezulton të jenë zhdukur dy vlonjatët, deti ka qenë shumë i trazuar. Të njëjtat burime thonë se nga data 2-3 korrik dhe deri në datën 5, anijet e peshkimit nuk kanë dalë në det, pasi deti ka qenë shumë i trazuar.
Versioni i deritanishëm është i ndërtuar mbi dëshminë e familjarëve të dy të zhdukurve. Sipas këtyre deponimeve në datën 3 korrik, Adriano dhe Ariseldi janë nisur për në Durrës nga “Hotel Europa”, i cili është në pronësi të familjes Jahaj. Në këtë qytet, ata do të merrnin skafin të cilin biznesmeni e kishte dërguar për servis. Por familjarët në kallëzimin e tyre nuk kanë dhënë shumë detaje se me çfarë mjeti ata janë larguar nga Vlora. Sipas deklarimeve, Jaho e Maze kanë përdorur makinën e një shoku të biznesmenit, por nuk e dinë se e kujt personi është ky automjet. Pikërisht makina është një nga misteret më të mëdha në këtë histori.
Familjarët kanë sqaruar se të dy të humburit kanë pasur telefona me vete. Ata janë munduar të kontaktojnë me ta, por telefonat kanë rezultuar të fikur që në datën 3 korrik.