Shqipëria në flakë prej 1 jave, qeveria asnjë masë

Shqipëria ndodhet në flakë prej disa ditësh, ndërsa qeveria është inekzistente. Situata paraqitet alarmante në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër dhe Shkodër, ndërsa në Tepelenë situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi flakët po i afrohen shtëpive të banuara dhe spitalit të qytetit. Zjarri i rënë të dielën në Tepelenë nuk është shuar akoma, edhe pse u njoftua nga prefekti Flamur Bime se situata ishte drejt normalizimit. Në fakt, tre vatrat e zjarrit kanë qenë aktive gjatë gjithë natës. Flakët u përhapën me shpejtësi gjatë mesditës së të hënës, duke krijuar frikë dhe panik tek banorët.
Zjarri masiv nisi mbrëmjen e së dielës në kurorën e gjelbërt të Tepelenës. Vatra fillestare e zjarrit nisi shumë pranë rrugës së Kurveleshit, me vendndodhje përballë burgut të Bënçës. Por fatmirësish drejtimi i erës favorizoi qytetin. Flakët kanë djegur pishat në kodrën që ndodhet sipër qytetit të Tepelenës.
Burimet bënë të ditur se, flakët rrezikuan 30 banesa, spitalin e qytetit dhe depon e ujit. Më tepër se 10 hektarë pyll me pisha dhe shkurre u shkrumbuan, ndërsa flakët vijojnë të përpijnë kurorën e gjelbërt. Drejtori i Sallës së Komandimit të Emergjencave Civile, tha se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht për të hapur sipërfaqe tokash për mbjellje kanabisi. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për shuarjen e zjarreve. Disa zjarrfikëse lokale janë angazhuar për shuarjen e flakëve, por pa ia arritur qëllimit pasi sipas burimeve, mungojnë mjete logjistike.
Situata mbetet problematike edhe në zonat e tjera të vendit të përfshira nga flakët. Flakët kanë përpirë afërsisht 300 hektarë pyje dhe shkurre. Zjarret më të shpeshta kanë qenë në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër dhe Shkodër. Terreni i thyer dhe mungesa e mjeteve logjistike ka bërë që në shumë raste të mos ndërhyhet nga mjetet zjarrfikëse. Drejtori i Sallës së Komandimit të Emergjencave Civile bëri të ditur se nuk ka mjete zjarrfikëse për t’u futur në pyje për shuarjen e flakëve, ndërsa 90% e territorit mbetet maksimalisht e rrezikuar nga zjarret. Vetëm në 24 orët e fundit kanë qenë aktive 35 vatra zjarri në të gjithë vendin, ku janë djegur më shumë se 45 hektarë pyje.
Ndërsa në fshatin Dushaj, Bulqizë vijon zjarri në një masiv pyjor me dru ahu. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Sipas specialistëve të Emergjencave Civile “aktualisht është duke u punuar për shuarjen e flakëve edhe pse ato favorizohen nga era”.
Edhe në Klos situata është e vështirë. Në fshatin Patin, zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 8 hektarësh me pisha, shkurre dhe ferra. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë me mjete rrethanore dhe vetëm pas disa orë punë kanë arritur të shuajnë flakët. Në pamundësi për të vepruar zjarrfikëset e gjithë situata po kërkohet të vihet nën kontroll me mjete rrethanore, por kjo është e pamundur.
Vetëm gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin kanë rënë 51 vatra zjarri. Një numër shumë i lartë po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa flakët e zjarrit po bëjnë kërdinë në të gjithë vendin, strukturat e shtetit janë të paralizuara. Institucionet përkatëse janë gjetur të papërgatitura, ndërsa mungesa e mjeteve logjistike bën të pamundur shuarjen e flakëve. Qeveria i ka harxhuar të gjithë fondet e Emergjencës Civile dhe nuk ka asnjë mundësi për të marrë mjete të specializuara nga jashtë vendit për shuarjen e zjarreve. Fondi për Emergjencat Civile për vitin 2017 është 10 herë më i ulët se ai i vitit 2013, kur qeveria drejtohej nga e djathta.

Si e uli Rama 10 fish fondin e Emergjencës Civile

Qeveria e Ramës ka lënë në mëshirë të fatit vendin nga rënia e zjarreve. Ky fakt vërtetohet po të shikosh fondet e qeverisë për Emergjencat Civile. Ndërsa në vitet 2013-2014 fondi i Emergjencave Civile ishte më shumë se 6 milionë euro, ose 775 milionë lekë, por për vitin 2017 ky fond u la nga Rama vetëm 164 milionë lekë. Ulja e tij filloi në vitin 2015, kur nën dirigjimin e Ramës, Fondi i Emergjencave u ul në 144 milionë lekë, ose rreth 1 milion euro, ndërkohë që Rama i shtoi këtij fondi dhe 20 milionë lekë të tjera gjatë përmbytjeve që ndodhën në janar shkurt të këtij viti, duke e çuar në total në 164 milionë lekë.
Kjo është shuma që është parashikuar nga qeveria për Emergjencat Civile, ndërsa Shqipëria është përfshirë nga zjarret. Një shumë qesharake, sa gjysma e parave që Rama harxhoi për ekspozita në New York, Berlin apo Kinën e Largët, si pjesë e pasionit të hershëm të rinisë së tij, por që po e promovon sot, duke përfituar nga benefitet që i jep pushteti dhe administrimi i parave publike.
Por në rast se është treguar dorështrënguar për fondet e emergjencës për njerëzit në nevojë, Rama nuk shfaqet i tillë, përsa i përket shpenzimeve vetiake në Kryeministri. Në rast se për tre milionë banorë, ai ka akorduar vetëm 1.2 milionë euro për emergjencat e vitit 2017, për Kryeministrinë ka akorduar 30 milionë euro. Shpenzimet janë bërë për fusha tenisi në Kryeministri, kondicionerë (plot 530 mijë euro), 6.7 milionë euro për karrige dhe tavolina, se helbete këto që janë s’ia mbushin syrin liderit global, makina, rikonstruksion të vilës së Mehmet Shehut, që ai përdor për gjumin e drekës, dhe të tjera si këto. Pra, Rama shpenzon 30-fishin e fondit që jep për Emergjencat Civile, pasi më emergjente konsideron ngritjen e fushës së tenisit apo vendosjen e kondicionerëve të rinj nëpër ambjentet, ku rri ai dhe detashmenti i tij, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në flakë.
Kryeministri harxhon rreth 45 mijë euro për çdo person në Kryeministri, ndërkohë që me ato para mund të shuheshin flakët e zjarreve, duke marrë mjete te specializuara nga jashtë shtetit.

Qeveria mashtroi zjarrfikësit për rritjen e rrogave

Për shuarjen e zjarreve jo vetëm që mungojnë mjetet logjistike dhe është ulur 10 fish fondi i Emergjencave Civile, por punonjësit e zjarrfikëseve kanë rroga qesharake. Rama u premtoi rritje të rrogave, por në fakt i mashtroi zjarrfikësit ashtu siç bëri edhe me punonjësit e policisë.
Denoncimi për mashtrimin e Ramës me rritjen e pagave është bërë nga një punonjës i zjarrfikëseve të Tiranës. Ai i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Ai shkruan se jo vetëm që nuk është bërë rritje rroge, por u janë hequr edhe orët e natës, ndonëse kanë punuar në vështirësi. “Zjarrfikësi dixhital denoncon mashtrimin e qeverisë për rritjen e pagave! Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Po ju shkruaj për të disatën herë nga zjarrfikësja ça bëhet kshu o me ktë qeveri tha ngritje rroge u bë ulje, mir kjo po na hoqën dhe orët e natës mo vëlla për cilën arsye ndodh kjo? Mirë që na paguanin 20 mijë lekë të vjetra për shërbime 250 orë nate, pagesa më qesharake, por çudia është se dhe atë na i hoqën fare. Arsyeja, e dinë horrat. Ppunojmë në kushte mjerimi, flemë në kushte mjerimi, hamë në kushte mjerimi, pa pikë kushti. Arsyeja, s’ka kohë zotëria të hedhë sytë nga ne. Pse kështu ky buzëplasur, për vota qe i qasur bënte të dashur e me premtime”, shkruan punonjësi i zjarrfikëseve.

R.POLISI

Artikulli paraprakSituatë dramatike, 36 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit
Artikulli tjetërKarabina: Administrata publike u detyrua të dilte në fushatë