Bayerni do Hysajn

Shqipëria ka një yll të klasit botëror. Bëhet fjalë për Elseid Hysajn, që pas sezonit fantastik me Napolin, ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane. Së fundmi për shërbimet e 22-vjeçarit të lindur në Shkodër është interesuar edhe Bayern Munchen. Lajmi u bë i ditur nga gazeta italiane, “TuttoSport”, e cila theksonte se drejtori teknik i bavarezëve, Michael Reschke ishte i pranishëm gjatë fundjavës në San Paolo, për ta ndjekur në aksion në ndeshjen me Atalantën.
Paraqitjet në nivele të jashtëzakonshme të Hysajt me Napolin nuk kanë kaluar pa u vënë re nga Bayerni. Skuadra që pret edhe formalisht të rikonfirmohet si kampione e Bundesligës ka ofruar menjëherë 18 milionë euro. Shifra është e konsiderueshme dhe duket e parefuzueshme nga Napoli, që vetëm një vit më parë shpenzoi 5 milionë euro, që ta afronte kuqeziun nga Empoli.
Hysaj vlerësohet si lojtari perfekt për krahun e djathtë të mbrojtjes së bavarezëve dhe me moshën që ka garanton siguri për të ardhmen, duke qenë se Lahm është 32-vjeçar, Rafinha 30, ndërsa Benatia pritet të largohet në fund të sezonit.
Por, Bayern-i nuk është emri i vetëm i madh i futbollit kontinental që interesohet për Elseid Hysajn. Pak ditë më parë, mediat spanjolle folën edhe për një vëzhgim nga Barcelona, ndërsa lojtari cilësohet si alternativë edhe nga Antonio Conte te Chelsea.

Artikulli paraprakPelegrini: Nuk krijuam por 0-0 do të ishte më i drejtë
Artikulli tjetërRenditja e FIFA-s, Shqipëria mbetet e 45-ta