Tohir, merkato dhe gjoba për lojtarët

Vizita e radhës e Erik Tohirit në Itali pritet të jetë decizive sa i përket së ardhmes së klubit zikaltër. Axhenda e indonezianit është e mbushur me takime edhe pse mbi të tjerat spikasin dy. Presidenti i Interit është i tërbuar me lojtarët, pasi ashtu si Mançini mendon se disa prej tyre nuk impenjohen në ndeshjet e fundit.
Deri më tani zikaltrit kanë pësuar 34 gola. 6 prej tyre i kanë marrë në 15′ e para të lojës, ndërsa 14 në 15′ të fundit. Prej 14 golave të pësuar në minutat e fundit, plot shtatë kanë ndikuar në rezultatin e takimit, duke “prodhuar” 5 humbje (Lacio, Sasuolo, Fiorentina, Torino e Xhenoa) dhe 2 barazime (Karpi dhe Roma).
Nëse do të konvertonim këto gola me pikë të humbura mund të themi se Ikardi me shokë kanë hedhur tutje plot 9 pikë. Neglizhenca e lojtarëve ka lodhur Tohirin, i cili të premten pritet të takohet me lojtarët për t’i komunikuar se në raste të tilla shoqëria do të marrë masa, duke iu vendosur gjoba.
Gjatë vizitës së radhës, Erik Tohir do të takohet edhe me Roberto Mançinin. Mësohet se tema kryesore do të jetë merkato. Sipas mediave italiane, Roberto Mançini i ka kërkuar presidentit dy mbrojtës krahu dhe një mesfushor qendre. Indoneziani është treguar i gatshëm që t’i plotësojë trajnerit një pjesë të mirë të dëshirave që ka për merkaton e verës.

Artikulli paraprakFinalet, Madridi “parakalon” Milanon
Artikulli tjetërPogba: Modelet që ndjek, Bufon dhe Pirlo