Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 104 vjet burg në total për 9 të pandehurit e dosjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Për Ermal Hoxhën, nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha Gjykata dha dënimin 10 vjet burg, 3 vjet më pak nga sa kishte kërkuar Prokuroria. Tetë prej të akuzuarve për përpunim dhe trafik ndërkombëtar droge të mbetur në tentativë janë të arrestuar. Ndërsa Genci Xhixha i cilësuar si kreu i kësaj organizate është ende në kërkim.
Xhixha u dënua me 13 vite burg. E njëjta masë dënimi u dha edhe për Sajmir Batkun. Me nga 12 vite heqje u dënuan dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno. Ilir Hyseni i cili ishte i vetmi që dëgjoi vendimin në sallë u dënua po me 12 vite burg. 11 vite heqje lirie u dhanë për Gentian Gjonin dhe Klement Dalipin. Ndërsa Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha dhe Arjan Dalipi, u dënuan me nga 10 vite burg.
Hetimi për grupin e Xibrakës nisi në 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas një informacioni të mbërritur nga Gjermania. Sipas hetimit, 9 të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike. Ata kanë importuar nga Kolumbia për në Shqipëri një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për përpunimin e saj, ata kishin ngritur edhe një laborator në Xibrakë të Elbasanit.
Dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno ishin personat që kryenin këtë proces. Ndërsa pjesa tjetër e grupit merrej me transportin e lëndës narkotike deri në laborator nëpërmjet një sërë lëndësh që ndodheshin të depozituara në enë, shishe qelqi, qese, konteinerë.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton e provuar se 9 të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në Shqipëri një sasi lënde që përmbante kokainë. Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator në Xibrakë të Elbasanit. Aty dy shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno përpunonin lëndën bazë derisa kokaina nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.
Operacioni nisi më 17 dhjetor 2014, kur mbërriti në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Më 18 dhjetor të këtij viti, Prokuroria për Krime të Rënda regjistroi procedimin penal nr.335 për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”.