Një ditë pasi rinovoi kontratën me Milanin deri në vitin 2021, Gigio Donnarumma tha fjalë shumë të rëndësishme për tifozët kuqezi, të cilët ndoshta ende nuk ia kanë falur atë zvarritje të bisedimeve që shkuan deri na atë pikë sa largimi u mendua fakt i kryer. 18-vjeçari u shfaq i buzëqeshur para kamerave, duke shprehur dashurinë e tij për klubin që e rriti si futbollist. “Jam krenar dhe shumë i lumtur që mbetem pjesë e Milanit. Unë kam lindur këtu dhe në kokën time nuk kam patur kurrë dyshime. U kërkoj ndjesë tifozëve, sepse kam lexuar gjëra, të cilat nuk duhet t’i kisha lexuar kurrë. Nuk doja t’u shkaktoja dhimbje dhe shpresoj që marrëdhëniet mes nesh të kthehen si më parë. Unë jam tifoz i Milanit, që kur kam lindur”, u shpreh Donarumma.
Nga objektivat e klubit te fakti që do të ndajë dhomën me vëllanë e tij, Antonio. Gigio tani flet si lider i Milanit. “Ambiciet janë të mëdha, por objektivat duhet t’i arrijmë shkallë-shkallë. Duhet të marrim pjesë në Champion, ky është synimi i vendosur së bashku me drejtuesit. Vëllai im Antonio? Edhe për të kam dëgjuar gjëra që nuk më kanë pëlqyer. Kanë qenë drejtuesit, të cilët kanë dashur që edhe vëllai im bëhej pjesë e Milanit. Për mua është një motiv më shumë për t’ia shpërblyer klubit, sepse ne jemi shumë të lidhur me njëri–tjetrin. E kam prenotuar edhe dhomën në Milanello, ku ne do të qëndrojmë së bashku”, tha ai.
Rinovimi i kontratës së Donnarummës ishte një lajm shumë i mirë edhe për trajnerin Vincenzo Montella, sipas të cilit talenti kuqezi bëri zgjedhjen e duhur. “Ishte një telenovelë e gjatë, por e rëndësishme është që pati fund të lumtur ashtu siç të gjithë ne e uronim. Gigio mbeti djali ynë dhe tani ka nevojë vetëm për mbështetje. Ai duhet të jetë i qetë, sepse tani është bërë burrë dhe futbollist në çdo aspekt. Unë jam shumë i kënaqur, sepse edhe për të është zgjedhja më e mirë e mundshme”, tha Montella.