Spaleti pret 2 goditje

Njerëzit e merkatos zikaltër nuk duan të gjenden të papërgatitur nga largimi i Ivan Perisiç. Drejtori sportiv, Piero Auzilio, është bashkuar me skuadrën ditën e djeshme në Riskone dhe koordinatori teknik i “Suning”, Valter Sabatini, i pritur edhe ai në grumbullimin e skuadrës, janë prej kohësh duke punuar në këtë front, edhe pse qëllimi është të merren dy anësorë ofensivë. Me Gabigolin që do të largohet në huazim, Biabiani në dalje dhe me Ederin që Spaleti e sheh më shumë si alternativë të Ikardit ose si sulmues të dytë, shërbejnë të paktën disa elementë të tjerë.
Ia vlen të përmendësh që Spaleti ka kërkuar që të paktën njëri nga anësorët të jetë shumë i shpejtë, në gjendje që të kalojë me lehtësi mbrojtësin, por edhe të shënojë. Konkretisht, atë që i ofronte Salah te Roma. Pikërisht kalimi i egjiptianit te Liverpuli hap një mundësi për të synuar Sadio Manè, senegalezin 25-vjeçar. Duke dashur të përballet edhe me fluksin e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve, Jurgen Klop dëshiron mos ta lërë të lirë, por është e qartë që i detyruar t’i gjejë hapësira edhe Firminjos dhe Kutinjos dikush do të jetë i tepërt.
Ëndrra e vërtetë mbetet Aleksis Sançez në largim nga Arsenali, por kiliani duket të ketë zgjedhur Mançester Sitin e Guardiolës. Një tjetër profil i vështirë është Florian Tauvin i Marsejës. Pëlqehet edhe nga Roma, por nga Franca janë të bindur që lojtari nuk lëviz, madje ka firmosur një kontratë deri në vitin 2021. Ditën e djeshme nga Spanja kanë qarkulluar zëra se zikaltrit i janë rikthyer pistës Angel Di Maria (ndërsa PSG-ja do t’i investonte të ardhurat për Mbapé), por klubi nuk jep konfirmime. Pa harruar edhe që 29-vjeçari nga Rozario është më i vjetër se Perisiç dhe fiton 9 milionë në vit.
E vështirë për t’u arritur edhe te Havier Pastore, që vetë Sabatini e ka sjellë një herë në Itali në kohën e Palermos. Ashtu si Erik Lamela, i cili tashmë nuk konsiderohet më si i pashitshëm nga Totenhemi pas një sezoni jo të mirë, shkak ishte edhe operacioni që lojtari kreu në ije. Pëlqehet edhe gjermani Julian Brandt, i lindur në vitin 1996, por Leverkuseni për momentin e deklaron të pashitshëm. Duke qëndruar në Itali, zgjidhja të çon te Domeniko Berardi. Pista me Sasuolon që kërkon 50 milionë duket të jetë ftohur, por nuk përjashtohet se mund të hapet sërish, veçanërisht nëse në marrëveshje do të përfshihet një shkëmbim i pëlqyer nga Sasuolo.
Interi është tashmë në hapat e fundit për të transferuar mbrojtësin e majtë Henrike Dalbert. Drejtuesit zikaltër janë takuar me enturazhin e talentit brazilian të Nisës javën e shkuar dhe operacioni blic për të bindur lojtarin që të vijë në Milano duket se ka qenë i suksesshëm. Talentit të lindur në vitin 1993 i është ofruar një kontratë joshëse dhe ai i ka kërkuar presidentit Zhan-Pierr River largimin. Klauzola e prishjes së kontratës me Dalbert është 30 milionë euro. Por oferta aktuale e drejtorit sportiv Piero Auzilio është 16 milionë euro, plus 4 milionë bonuset.

Artikulli paraprakPolakët ironizojnë Sadikun: Legia ka marrë një komunist
Artikulli tjetërRevolucioni kinez i Milanit