Bashkimi Europian ka financuar 7 projekte të mëdha në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, por Shqipëria nuk ka përfituar nga asnjëri prej tyre. Komisioni Europian publikoi tabelën zyrtare me 7 veprat madhore të transportit, që u financuan përgjatë periudhës 2014-2017.
Bëhet fjalë për hekurudha, porte dhe rrugë të reja, ku janë investuar në total 934 milionë euro. Sipas tabelës së bërë publike, nga kjo shumë 333 milionë euro janë grante, të cilat kanë ndihmuar vendet e Ballkanit të modernizojnë infrastrukturën e tyre.
Por siç tregojnë të dhënat, të gjitha fondet kanë shkuar në tre vende që janë Bosnja, Serbia dhe Maqedonia. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova nuk kanë përfituar asnjë fond.
Projektet
Vepra e parë është Korridori i Mesdheut, i cili kalon përmes Bosnjes. Sipas tabelës, për këtë projekt BE ka financuar 147.5 milionë euro në tre vitet e fundit, nga të cilat 27 milionë kanë qenë grante.
Projekti i dytë i financuar është linja ujore në Portin e Brçkos, pjesë e Korridorit Rhine-Danub. Edhe tek ky projekt përfitues ka qenë sërish Bosnja. Sipas Komisionit Europian, në tre vitet e fundit BE ka financuar 10.1 milionë euro, nga të cilat 3.1 milionë euro kanë qenë grante.
Serbia është përfituesja e veprës së katërt. Ajo është hekurudha e korridorit mesdhetar Lindje/Perëndim. Ky investim ka kushtuar 56.4 milionë euro dhe gjysma e tyre janë grante.
Po kjo vepër vazhdon edhe në Maqedoni. Për segmentin Maqedonas, BE ka financuar 152.3 milionë euro, nga të cilat 70 milionë janë grante. Në dy veprat e fundit, janë sërish përfituese Serbia dhe Bosnja. Bëhet fjalë për Portin e Djardapit dhe Korridorin Mesdhetar me vlerë rreth 27 milionë euro.
Pra në total Bashkimi Europian ka financuar 934 milionë euro në projekte infrastrukturore gjatë tre viteve të shkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria nuk ka përfituar asnjë financim.