Hakmerret Juventusi

Juventusi ka arkëtuar milionat nga Milani për Leonardo Bonuçin dhe është vënë menjëherë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues të tijin. Edhe pse në shtëpi ata kanë tre qendërmbrojtës të rëndësishëm si Andrea Barzalji, Mehdi Benatia dhe Daniele Rugani, nevojitet edhe një tjetër përforcim duke parë sezonin e gjatë, por pa harruar se dëmtimet janë gjithmonë prapa derës dhe natyrisht që mosha e madhe e Barzaljit nuk jep garanci për një rendiment të lartë.
Prandaj, krerët torinezë kanë bërë një listë në të cilën ideja e madhe, ndoshta edhe si kundërpërgjigje ndaj Milanit, është Tiago Silva. Ish-milanisti nuk është më shumë i lumtur në Paris dhe ndoshta mund të bëjë një rikthim të bujshëm në Itali. Vlera e kartonit të tij nuk është më e lartë se 10-12 milionë euro, duke parë edhe 33 vitet mbi shpatulla (i feston në shtator), por problem mbetet paga e tij, 10 milionë euro në sezon.
Gjithsesi, në një merkato kaq të çmendur gjithçka mund të ndodhë, prandaj surprizat janë të paralajmëruara. Pista e dytë është ajo e mbrojtësit të Romës. Kostas Manolas është jo vetëm i ri, por ka treguar edhe një rendiment të lartë. Për grekun që kërkon të ndërrojë ambient nevojiten të paktën 30 milionë euro, një investim ky edhe për të ardhmen e grupit të trajnerit Alegri.
Drejtori Marota ka kontakte të vazhdueshme edhe me Lacion, për Stefan de Vraj, 25-vjeçarin holandez, i cili duket i joshur nga mundësia për të veshur bluzën e Juves, por bisedimet me Igli Taren nuk do të jenë një shëtitje.
Në fund, mbetet pista më e sigurt, ajo e Matia Kaldarës. 23-vjeçari i blerë nga Atalanta për 25 milionë euro duhej të zbarkonte sezonin e ardhshëm në Torino, por duke parë këtë lëvizje Atalanta është e gatshme që ta lirojë edhe që tani, falë edhe marrëveshjes së fundit me Juven, e cila solli sulmuesin Orsolini në Bergamo.
Duke lënë mënjanë repartin defensiv, Juventusi është shumë i kujdesshëm edhe te blerjet e tjera. Në ditët e ardhshme pritet një sulm frontal për mesfushorin e PSG-së, Blaiz Matuidi. Mino Raiola kërkon ta sjellë në Torino klientin e tij me çdo kusht, në të kundërt drejtori Marota do të rikthehet te një ide e vjetër, Nemanja Matiç. Pas ardhjes së Bakajoko te Çelsi, serbi nuk është më i nevojshëm dhe bardhezinjtë do ta tentojnë me një ofertë prej 30 milionë eurosh.
Gjithsesi, nga Spanja nënvizojnë gjithashtu se zërat për Toni Krosin janë të vërtetë. Juventusi ka dërguar një faks zyrtar në zyrën e presidentit të Realit të Madridit, duke konfirmuar ofertën prej 70 milionë eurosh, e cila duket se i josh spanjollët, të cilët i kanë tashmë alternativat në shtëpi: Isko, Vazkuez, Asensio dhe së fundmi edhe Sebajos.

Artikulli paraprakJuve refuzoi 100 milionë euro për Gonzalo Higuain
Artikulli tjetërNelson Semedo, lojtari më i ri i Barcelonës