Nelson Semedo, lojtari më i ri i Barcelonës

Nelson Semedo është lojtari më i ri i Barcelonës. Futbollisti portugez u prezantua në skenën e “Camp Nou” i shoqëruar nga Presidenti Josep Mario Bartomeu duke folur dhe fjalët e tij të para si një futbollist blaugrana. “Është një nder të vesh këtë fanellë, mund të besoni te unë për gjithçka, do të derdh edhe pikën e fundit të djersës”, deklaroi anësori i djathtë. Bartomeu konfirmoi se çmimi i futbollistit të blerë nga Benfika është 30 milionë euro, plus bonuse të ndryshme në funksion të rendimentit të tij nën urdhrat e Valverdes.
E ardhmja e Diego Costa mbetet pezull ndërsa Atletiko shpreson të përfitojë. Një muaj më parë Antoni Conte i bëri të ditur se nuk bën pjesë në planet e tij për të ardhmen dhe sulmuesi ende nuk ka gjetur një skuadër. Destinacioni i tij i ardhshëm duken Los Colchoneros, por vendimi i FIFA-s që ka bllokuar merkaton në hyrje të Atletikos deri në janar përbën një pengesë të madhe për Diego Costën që duhet të luajë për pjesën e parë të sezonit në një skuadër tjetër.
Angel Montoro është një futbollist i Granadas. Mesfushori nga Valencia kreu vizitat mjekësore rutinë dhe firmosi për 3 sezonet e ardhshme pasi mbylli aventurën e tij njëvjeçare me Las Palmas ku u aktivizua në 25 ndeshje gjatë sezonit 2015-2016.
Gareth Bale vetëtërhiqet nga merkato. Futbollisti konfirmoi qëndrimin te Reali i Madridit nëpërmjet një mesazhi në Twitter ku shkruajti, “Nisi sezoni im i pestë me këtë klub të madh, me zor pres momentin të rifilloj”. Pasi kishte përfunduar së fundmi në shënjestrën e Paris Saint Germain, futbollisti nga Uellsi shuan në këtë mënyrë çdo dyshim. Los Blancos nuk kanë ndër mend ta lejojnë largimin e Bale për të cilin shpenzuan më shumë se 100 milionë euro më 2013, pavarësisht dy dëmtimeve të pësuara prej tij në sezonin e fundit.

Artikulli paraprakHakmerret Juventusi
Artikulli tjetërShkëndija shpreson të kalojë