Droga e kapur në Vlorë, 30 tonë e klanit Xhafa

Një oficer policie në Komisariatin e Vlorës bën të ditur se sasia e drogës së sekuestruar në Llakatund është 30 ton dhe jo 15 ton siç deklaron policia. Oficeri i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit ku e informon se droga e sekuestruar në Llakatund i përket klanit Xhafa dhe drejtuesve të lartë të policisë Neritan Nallbati, Rebani Jaupi dhe Aldos, shef i Krimeve të Fierit.
“Të reja skandaloze për ngarkesën prej 30 tonësh droge që u kap në Llakatund! Të implikuar klani Xhafa dhe drejtues kryesorë qendrorë dhe lokalë të policisë. Oficeri dixhital informon: Hashashi i kapur parmbrëmë në Llakatund është mbi 30 ton. Ai i përket klanit Xhafa dhe drejtuesve të lartë të policisë, Neritan Nallbati, Rebani Jaupi dhe Aldos, shef i Krimeve të Fierit!
“Përshëndetje Doktor, unë që po të shkruaj jam një oficer policie në Drejtorinë e Vlorës. Dua të denoncoj në lidhje me ngjarjen e ndodhur parmbrëmë në Vlorë ku janë kapur rreth 30 tonë hashash nga Policia. Këtë ngjarje krerët e Policisë së Shtetit po mundohen ta fshehin lidhur me autorët e saj. Hashashi i kapur në Llakatund nuk ju përket Habilajve. Informacioni i nisur tek ju ka qenë për dezinformim dhe për të fshehur gjurmët, sepse hashashi i përket shtetasve Kreshnik (Niku), vëllait të tij Ervinit, Gonit vëllait të ministrit Xhafa, Renato Saliut nga Fieri, Aldos shefit të Krimeve Fier, ish-drejtorit të Policisë së Fierit, Neritan Nallbati dhe Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Rebani Jaupi. Pjesa më e madhe e hashashit ka qenë e mbjellë vjet në zonën e pyllit të Hoxharës e Darzezës nga Renato, Kreshniku, Ervini dhe Goni, këta kishin mbështetjen e drejtorit Neritan Nallbati, Rebani Jaupi dhe Aldos. 30% e mallit të kapur i përket Neritanit, Rebaniut dhe Aldos. Dje, pas operacionit Rebaniu nuk ishte entuziast për rezultatin po i pikëlluar. Këta po organizohen për ta marrë mallin ku do të djegin vetëm një sasi të vogël. Këtë gjë e them, pasi e kam dëgjuar nga njerëz të tyre të besuar.
Kreshniku me Gonin kanë një organizatë kriminale të sofistikuar në Vlorë dhe në Fier, ata janë të lidhur ngushtë me Policinë e Kufirit Vlorë, Policinë e Rendit Vlorë dhe Fier ku disa emërime të rëndësishme në rang drejtuesish i kanë bërë vetë ata me ndihmën e ministrit Xhafa për mbarëvajtjen e trafikut të tyre të drogës në Shqipëri, Itali dhe Greqi.
Dy skafe janë mbytur në det me nga dy persona, ku në të dyja rastet ka qenë malli i Gonit të Xhafës. Rasti i fundi është ai i datës 03.07.2017 ku janë zhdukur dy persona, ndërsa rasti tjetër ka ndodhur disa muaj më parë në fillim të këtij viti në muajin mars, ku u gjet një skaf me drogë në Karaburun i përplasur, ndërsa dy trupat u gjetën në kohë të ndryshme të mbytur në det, në këtë rast malli ka qenë i Gonit të Xhafës dhe vëllezërve nga Llakatundi, Kreshnik dhe Ervin. Ky grup dhe atëherë si në rastin e fundit, bashkë me policinë nuk i ka lenë personat të kthehen mbrapa, pasi ata kanë thënë se ka shumë det dhe kishin probleme me skafin, këta ju kanë thënë vazhdoni për në Itali, nuk ka kthim mbrapa dhe u mbyt Mania me ndihmësin e tij.
Goni Xhafës ka lidhje me klanet më të forta siçiliane dhe kalabrese në Itali, pasi Goni ka qenë i dënuar me 12 vjet burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge”, shkruan oficeri i policisë.

Po grabiten tonelatat e drogës së Llakatundit

Ish-kryeministri Berisha ka postuar një video që hedh dyshime për grabitjen e drogës të sekuestruar nga Policia në Llakatund të Vlorës. Përmes një shënimi në Facebook, referuar qytetarit dixhital, Berisha shkruan se disa persona po vjedhin drogën e sekuestruar. Sipas denoncuesit droga është futur në qeska të zeza nga policia dhe po del me qeska të bardha nga makina.
“Qytetari dixhital informon: “Përshëndetje doktor. Droga nga Llakatundi po transportohet për në Tiranë me dy kamionë të mëdhenj transporti shoqëruar me tre makina me civilë dhe dy makina policie me fenelina. Shikoni videon e tij!”, shkruan Berisha në Facebook.

Policia: Në Llakatund u sekuestruan 15 ton e 162 kg kanabis

Policia bëri të ditur dje se ka peshuar drogën e sekuestruar në Llakatund mesditën e të enjtes. Sipas policisë, 15 tonë e 162 kilogramë kanabis është sasia e drogës që është sekuestruar gjatë operacionit në Llakatund të Vlorës.
Policia tha se, gjatë operacionit u sekuestruan edhe 5 armë zjarri, 3 presa që presonin lëndën narkotike, vaj hashashi, sita e përbërës kimikë. Operacioni startoi nga Policia e Vlorës mbështetur nga FNSH-ja e Fierit, Specialistët e SHÇBA-së dhe Prokuroria e Vlorës.
Të enjten, u sekuestrua në 3 banesa të fshatit Drithas 14 ton e 466 kg kanabis në formë boçesh dhe çokollatë. Janë asgjësuar rreth 270 bimë narkotike. Janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas, ndër këta 2 punonjës policie dhe 1 kryeplak fshati. Në këtë operacion masiv kanë marrë pjesë rreth 150 forca policie.
Gjithashtu, ditën e djeshme, në vijim të operacionit masiv antidrogë në Llakatund, është gjetur një tjetër sasi kanabisi në fshatin Drithas, e cila pas peshimit rezultoi prej rreth 696 kg. Forcave mbështetëse të policisë u është shtuar edhe asistimi i qenit antidrogë, i specializuar për konstatimin e lëndës narkotike.
Policia njofton se, vazhdojnë veprimet e mëtejshme të transportimit të lëndës narkotike drejt ambienteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.

Artikulli paraprakLuftë në mes të Shkodrës, plagosen rëndë 3 persona
Artikulli tjetërFaqja e pare