Gjysma e prodhimit në fushat e Patos-Marinzës hidhet për tregun vendas, e cila shitet si naftë importi. Në një shkrim të revistës “Monitor” bëhet me dije se, për vitin 2017 50% e naftës së prodhuar nga Bankers Petrolium i është shitur kompanisë “Ionian Refining & Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC), pas së cilës qëndron biznesmeni klient i Edi Ramës, Besnik Sula i “Tajvanit”. Sasia për vitin 2016 e naftës së nxjerrë ka qenë rreth 1.2 milionë tonë naftë, ndërsa sivjet pritet që të ulet me 1 milion tonë. Më parë, thuajse e gjithë sasia që prodhohej shkonte për eksport, pasi ARMO, e cila ka ndryshuar emrin në IRTC, nuk kishte kapacitet dhe teknologji përpunimi për shkak të cilësisë së ulët të saj. Ndërkohë që IRTC vazhdon me teknologjinë e vjetër të ARMO, Bankers Petroleum po shet naftën e Patosit për përpunim tek kjo firmë. Më pas, kjo e fundit e hedh në tregun vendas, në formën e përpunuar të naftës apo benzinës, por që është shumë më e ulët në cilësi se nafta e importit. Nuk janë pak, por rreth 500 mijë tonë naftë ose sa 60 deri në 70 për qind e konsumit vjetor. Pra, në rast se keni problem me cilësinë e karburantit, duhet ta dini që nuk është faji i pikave, por makutëria e Kryeministrit dhe e klientëve të tij, ka sjellë këtë situatë monopol që po na kushton jo pak.
Çmimi
Por megjithëse shqiptarët po konsumojnë naftën e vendit të tyre, sërish kjo nuk po reflektohet në çmimin e karburanteve. Nafta dhe benzina vazhdojnë të mbajnë të njëjtat çmime. Megjithëse për këtë lloj malli tashmë shmanget taksa doganore, sërish ajo shitet me të njëjtin çmim si nafta e importit. Nga organet kompetente nuk ka asnjë reagim, dhe ska se si të ndodhë ndryshe, pasi urdhri është i qartë. Klienti i kryeministrit që mori dhe Tajvanin për një çmim qesharak nuk duhet të preket. Çmimi për një litër naftë dje varionte të ishte nga 155 deri në 164 lekë për litër, ndërsa benzina nga 158 deri në 170 lekë litri, ndërkohë që në vendet fqinjë, Maqedoni, Mali i Zi megjithëse një karburant shumë më cilësor nuk e kalon çmimin e 90 centëve euro apo në disa raste dhe më pak. Nafta e vendit, është e përjashtuar nga çdo taksë, apo kosto transporti siç mund të jetë nafta që vjen nga importi. Nga ana tjetër, çmimi i saj është më i ulët dhe për shkak të cilësisë së ulët e cila kërkon një teknologji të lartë përpunimi. Pra jemi në kushtet, kur një litër naftë, duke përjashtuar taksën doganore nuk duhej të shitej më shumë se 120-125 litër. Por çmimi është shumë më i lartë se kaq, me gati 35-40 lekë për litër më i shtrenjtë. Nga ana tjetër, kostoja e cilësisë së karburantit rëndon mbi kurrizin e qytetarëve për shkak dhe të defekteve që japin rëndom automjetet si pasojë e përpunimit jo në standardet e duhura të naftës.
Shqipëria, ndër vendet me resurse të mëdha nafte, por me çmimin më të lartë
Shqipëria renditet në vendin e 26 në Evropë të paktën për rezervat e naftës, çka do të thotë një vend ku ky mall nuk mungon. Rezervat përllogariten në 400 milionë tonë, çka do të thoitë që çmimi për këtë produkt duhet të ishte shumë herë më i ulët. Vendet prodhuese të naftës njihen për çmimet e tyre të ulta me të cilën ja shesin qytetarëve këtë produkt. Shqipëria, mban vendit e 25 në botë për çmimin më të lartë të karburanteve, duke u krahasuar me vende me standarde të larta si Norvegjia, Holanda, Danimarka, Suedia, Zvicra apo Anglia. Në vendet prodhuese ky çmim nuk e kalon vlerën e 0.3 dollarëve për litër. Maqedonia për shembull nuk është vend prodhues i naftës, por çmimi në momentet që po flasim nuk i kalon 91 lekë për litër, ndërsa në Shqipëri është gati dyfishi. Duket se çmimi mbahet qëllimisht i lartë për të favorizuar me shitje naftën e Besnikut të Tajvanit, i cili me shpejtësi po monopolizon tregun e karburanteve, natyrisht së bashku me një grusht klientësh të tjerë të Ramës. Kjo ishte dhe arsyeja se përse qeveria me anë të një lëvizje të çudtishme vendosi të rrisë çmimin e gazit me dhjetë lekë për litër. Kjo u bë për të dekurajuar konsumatorin me qëllim që të kthente sytë sërish nga nafta dhe benzina, e cila vazhdon të shitet me çmim të lartë, por me cilësi të dobët.
Afera me ARMO-n, Besniku e regjistroi kompaninë në shujt Virgin
Kompania ARMO iu dha nga Rama kompanisë “Ionian Refining & Trading co”, kompani kjo e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin dhe në mes të qershorit të vitit të kaluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Opozita dhe ish-kreu i saj Berisha, kanë deklaruar se pas kësaj kompanie qëndron sipërmarrësi shqiptar Besnik Sula. Shumë media përmes artikujve investigues u përpoqën të hedhin dritë mbi atë çfarë po ndodh realisht me kompaninë e zhytur në borxhe. Cilat janë detyrimet e kompanisë së re ndaj debitorëve e mbi të gjitha me kë ka nënshkruar kontratë për shfrytëzimin e ARMO-s. Në daljet publike, Kryeministri ka pohuar se kompania do të shlyejë detyrimet ndaj kreditorëve. Por edhe lidhur me këtë ka dyshime të mëdha. Marrja në shfrytëzim, siç është përmendur edhe në një njoftim të Bankers Petroleum, nuk nënkupton shumë angazhime financiare për kompaninë e re. Planet e saj zgjatën maksimalisht në 18 muaj. Deri në mars të vitit të kaluar, borxhi i ARMO-s kishte arritur në 600 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë. Kjo shumë është sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose sa buxheti i një viti për arsimin e shëndetësinë në gjithë vendin. Detyrimi marramendës i ARMO-s ka vënë në vështirësi disa banka. Gjysma e borxhit është marrë pranë tyre. Ndërsa po kaq është detyrimi ndaj shtetit.
“Ionian Gas” u krijua enkas nga Besnik Sula për të marrë ARMO-n
“Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator të vitit të kaluar nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do t’i shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto, shoqërisë së mikut dhe partnerit të Edi Ramës dhe të vëllait të tij Olsi Rama. Në këmbim të kësaj, siç deklaron edhe vetë Bankers, qeveria i ka dhënë të drejtën e shpimit kompanisë për tremujorin e katërt të vitit 2016, si dhe tërheqjen e një pjese të madhe të prodhimit të naftës të Patos-Marinzës, e cila i përket Albpetrol-it. Pra, Rama i ka siguruar lëndën e parë me naftë vendase Besnik Sulës, duke bërë një pazar me Bankers. Nafta e përpunuar nga ARMO me pronar të ri njëkohësisht do ta ketë të garantuar tregun e shitjes në vend. Edhe për këtë është kujdesur personalisht Kryeministri Rama. E gjithë flota automobilistike e shtetit do të furnizohet me këtë naftë, por leje pa kufi tregtimi kjo naftë do të ketë edhe për shitjen nga disa operatorë privatë të përzgjedhur. Për të garantuar fitimin gjigant që pritet nga kjo aferë e fundit, Rama i ka dhënë një kompanie tjetër offshore, “Ionian Gas”, të krijuar së fundmi po nga Besnik Sula, fushën më të madhe gazmbajtëse në vend, atë të Delvinës, për vetëm 12 milionë dollarë. Në qoftë se pazari i parë i qeverisë me Bankers është zbardhur, ende ngelet mister kompania e panjohur offshore turke, “Transatlantic Petroleum”, e cila i shiti kompanisë së Sulës, plot 75% të aksioneve të fushës gazmbajtëse, nga më të mëdhatë në Europë. Pavarësisht nga dyshimet e shumta dhe faktet që u nxorën në media për aferën gjigante të Ramës me Besnik Sulën, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se ka nisur puna, nga Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka asnjë lloj informacioni se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re offshore “Rama-Sula”, me rafinerinë ARMO.
Në botë çmimi i naftës ulje deri në 50%, në Shqipëri njeh vetëm rritje
Shoqëria Civile në mars të këtij viti i ka nisur një propozim Kuvendit të Shqipërisë për të ulur nivelin e taksimit mbi naftën, që është arsyeja kryesore se pse çmimet e karburantit në vend janë ndër më të shtrenjtat në Europë. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit, duke e çuar atë në nivele të krahasueshme me rajonin. Në shkresën që “Nisma Thurje” i dërgonte asokohe Kuvendit dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare, thuhet se një nga çështjet që kërkon vëmendje të menjëhershme nga ana juaj dhe e kolegëve tuaj është ajo e çmimit të karburantit për konsumatorët. “Siç mund të jeni në dijeni, çmimi i karburantit në bursat ndërkombëtare ka pësuar një rënie të vazhdueshme, rënie e cila nuk është reflektuar fatkeqësisht në favor të konsumatorit. Ditën e mërkurë, dt.15.03.2017 tregjet ndërkombëtare e kuotonin naftën bruto me 52 USD/Barrelë. Ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare u shoqërua edhe me uljen e çmimit të shitjes së këtij produkti për konsumatorët në të gjithë botën. Ulja e çmimit të naftës për konsum ka variuar nga 25% deri në 50%. Ndërkohë që konsumatorët në të gjithë botën i janë gëzuar këtij oportuniteti, situata në Shqipëri qëndron pothuajse statike. Çmimi i karburantit pësoi vetëm një rënie prej 10% në fund të vitit të shkuar dhe tani është rikthyer në nivelet e mëparshme, paradoksalisht. Kjo situatë vjen si rrjedhojë e nivelit të lartë të taksimit të këtij produkti. Situata me taksimin mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente në legjislacion. Duke u bazuar në situatën aktuale të furnizimit të qytetarëve me nënprodukte të naftës, ku pjesa më e madhe e tyre importohen nga jashtë vendit, efektivisht në këtë moment që po flasim, nafta dhe benzina taksohen nëpërmjet 3 taksave indirekte të dedikuara të modelit akcizor: Akciza e naftës = 37 lekë, taksa e qarkullimit = 27 lekë, taksa e karbonit = 3 lekë. Pra, në total taksimi i akcizës sot efektivisht arrin në 67 lekë për litër. Ndërkohë që përveç këtyre taksave të mësipërme aplikohet edhe taksë doganore në masën 10% të çmimit të blerjes dhe 0.73 lekë shkojnë për tarifën e ngjyrosjes. Në fund shtohet edhe vlera e TVSH në masën 20% të çmimit të shitjes. Një nivel i tillë taksimi është më i larti në rajon dhe nuk korrespondon me të ardhurat e shqiptarëve. Nga ana tjetër, cilësia e karburantit që tregtohet në vendin tonë vazhdon të mbetet një problem madhor për qytetarët, duke e shndërruar debatin për çmimin në një çështje edhe më emergjente. Raportimet në të gjithë vendin tregojnë se, nafta që tregtohet në pikat fundore përzihet me nënprodukte dhe niveli i parandalimit dhe ndëshkimit të këtij fenomeni është i ulët. Nisma ka propozuar disa amendime të ligjit të përgatitur nga ekspertët e saj. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit, duke e çuar atë në nivele të pranueshme për xhepat e shqiptarëve. Më konkretisht: Në Direktivën 2003/96/EC, Komisioni Europian ka përcaktuar kornizat e harmonizimit të strukturave të tarifimit akcizor të vendeve të Unionit. Bazuar në përcaktimet e bëra brenda kësaj direktive, ne propozojmë variantin e tretë, i cili konsiston në faktin që akciza e naftës, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit përmblidhen të tria në një taksë të vetme, e cila quhet taksa e karburantit. Taksa e karburantit është 46 lekë/litër, sa minimumi i parashikuar në Direktivën 2003/96/EC të BE për taksat e nënprodukteve të naftë”, thuhet në peticionin e Shoqërisë Civile