Urdhri i Infermierit i ka dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë, Beqaj, ku i parashtron problemet me të cilat përballen infermierët. Në letrën e dërguar, thuhet se që nga janari 2016 deri më sot janë shkarkuar nga puna 200 infermierë. Kreu i këtij Urdhri, Sabri Skënderi thotë se nga njëra anë po pushohen infermierët e vjetër dhe me përvojë dhe nga ana tjetër po punësohen infermierë të rinj pa përvojë, shkruan syri.net.
Këta infermierë, thuhet në letrën dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, po punësohen në shërbimin e Urgjencës dhe të check up-it, gjë që reflekton uljen e cilësisë së Shërbimit. Sipas Urdhrit të Infermierit, duhet të bëhet një rregullim institucional dhe nuk duhet të hidhen në rrugë infermierët e vjetër dhe me përvojë të gjatë në punë.
Ministria e Shëndetësisë vazhdon pushimin nga puna të infermiereve dhe sanitareve në të gjithë vendin. Radha i ka ardhur Spitalit të Vlorës, ku u njoftuan për shkëputje të marrëdhënieve me punën 20 sanitare, të cilat prej vitesh punonin në këtë institucion. Sipas tyre, motivacioni i shkarkimit ishte thjesht “ristrukturim” dhe flaken në rrugë dhjetëra punonjës pavarësisht viteve të punës. Por, ashtu si edhe në spitalet e tjera të vendit, sanitaret nuk janë pajtuar me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe i kanë kërkuar drejtorit të spitalit që të rishikojnë këtë vendim, por përgjigja ka qenë negative.
Njëra prej sanitareve të pushuara nga puna ka kërcënuar se do të vetëvritet, pasi siç thotë edhe vetë, fëmijët i ka humbur prej disa vitesh dhe tani nuk ka më asgjë se çfarë të humbasë. Një tjetër thotë se, ka kredi për të shlyer, pasi e kishte marrë për kurimin e fëmijës, por kjo gjë nuk ka shërbyer fare që drejtuesit e spitalit të rishikojnë vendimin për pushim.
Të njëjtat probleme kanë edhe sanitare të tjera, disa prej të cilave janë kryefamiljare e tashmë nuk kanë me çfarë të mbajnë ekonominë e familjes së tyre. Vala e shkarkimeve nëpër spitale vazhdon prej disa muajsh në të gjithë vendin dhe motivacioni i vetëm është në kuadër të ristrukturimit.
Ndërkohë, punonnjësit e shkarkuar në Spitalin Rajonal të Fierit janë hedhur sërish në protestë dje. Punonjësit e pushuar nga puna shprehen se, vendin e tyre po e zënë militantët partiakë. Të gjithë punoniësit e shkarkuar kanë 15-30 vite punë. 72 punonjës të Spitalit Rajonal të Fierit u njoftuan për largimin nga puna me motivacionin suprimim të vendit të punës, ndërsa më 24 maj përfundon afati i qëndrimit të tyre në punë.