Villar në gjyq, La Liga ende pa kalendar

Gjykatësi i Audiencës Kombëtare të Madridit, Santiago Pedraz, dha masën e sigurisë arrest me burg për Presidentin e Federatës spanjolle të Futbollit, Angel Maria Villar dhe të birin e tij Gorka, të dy të akuzuar për korrupsion, duke i dërguar atë e bir pas hekurave të burgut. Angel Maria Villar dhe Gorka Villar u arrestuan të martën e kaluar, në një aksion të organizuar nga Prokuroria antikorrupsion. Bashkë me ta u prangosën edhe presidenti dhe sekretari i Federatës së Tenerife, Juan Padron, si dhe zv/presidenti i Federatës spanjolle të Futbollit, Ramon Hernandez Baussou.
Katër të arrestuarit u morën në pyetje nga gjykatësi, i cili pastaj la në fuqi arrestimin. Akuzohen për pasurim të paligjshëm, mashtrim dhe korrupsion. Pas arrestimit të Presidentit Villar, Federata spanjolle shtyu mbledhjen që ishte programuar për javën që po mbyllet ku do të konfigurohej kalendari i La Ligas- për sezonin 2017-2018. Minstri i Sportit, Inigo Mendez de Vigo tha se mbledhja do të zhvillohet këtë të shtunë dhe se qeveria spanjolle nuk do të lejojë që telashet e Villar me ligjin të cenojnë zhvillimin normal të kampionatit spanjoll.

Artikulli paraprakMerkato e “çmendur” në Europë
Artikulli tjetërTë gjithë duan Mbappe, Monaco denoncon në FIFA