Komisioni hetimor për CEZ-in ka nisur dje hetimin për atë që konsiderohet si skandali i shekullit. Kryetari i këtij komisioni, nënkryetari i PD, Spaho tha se indicia për ngritjen e këtij komisioni ishte raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit që gjeti shumë shkelje në zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë çeke.
Deputetët debatuan që në krye për detyrat që duhet të kishte ky komision. Sipas deputetit socialist, Eduard Shalsi ishte problem fakti se çështja ishte në hetim. Por, sipas deputetes demokrate, Jorida Tabaku, objekti i hetimit të këtij komisioni, nuk do t’i mbivendosej atij të institucioneve të tjera.
Socialistja Vasilika Hysi specifikoi se komisioni mund të fillonte punën, duke zbatuar me kujdes parimet kushtetuese dhe duke kërkuar bazën ligjore paraprakisht të marrëveshjeve që ishin nënshkruar për CEZ-in derisa çështja shkoi në arbitrazh. Po ashtu, të dhëna të tjera të dobishme për planin e hetimeve.
“Ne kemi humbur një muaj a mos më shumë qëkurse komisioni duhej të ishte mbledhur, tha Hysi dhe jemi para pushimeve, ndaj do të kërkoja që informacionet të mblidheshin menjëherë që në mbledhjen e ardhshme dhe ne të kalonim menjëherë në miratimin e planit të hetimit”.
Spaho e vlerësoi ndërhyrjen e Hysit “për të na sjellë në binarë” dhe sugjeroi që të përfshiheshin në substancë tri çështje: Çështjet që do të përfshihen, informacionet nga institucionet e përfshira në të, si dhe dëshmitarët. Këto dokumente nuk janë përfundimtarë, tha ai, kështu që në vijim ne mund të kërkojmë apo paraqesim materialet e tjera apo dëshmitarët”.
Parashtrimi i fakteve
Me Ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014 është miratuar marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të marrëdhënies ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ a.s.”. Opozita parlamentare e kundërshtoi arritjen e kësaj marrëveshjeje, bazuar në faktet e disponuara prej saj se, shtetit shqiptar po i shkaktohej një dëm i rëndë financiar dhe se po cenohej interesi publik. Qeveria shqiptare, në kushtet e mungesës totale të transparencës, nëpërmjet deformimit të fakteve dhe rrethanave të çështjes, arriti t’i imponohej deputetëve të mazhorancës, të cilët miratuan marrëveshjen në seancën plenare të datës 31.07.2014.
Nga rezultatet e një auditimi të kryer nga KLSH, institucion i pavarur kushtetues, rezulton se shtetit shqiptar, nga realizimi i kësaj marrëveshjeje, i është shkaktuar një dëm ekonomik që arrin në vlerën 479 milionë euro dhe më konkretisht: (i) vlera 95 milionë euro – pagesa e dakordësuar në marrëveshje; (ii) vlera 352 milionë euro – detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012; dhe (iii) vlera 32 milionë euro – zhvlerësimi në zero i vlerës së 24% të aksioneve të shtetit.
Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte, se vlera e dëmit ekonomik që i është shkaktuar shtetit shqiptar është më e lartë se dëmi i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ne vlerësojmë se është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë, që të kryejë një kontroll të plotë parlamentar, për të evidentuar nëse gjatë procedurave të arritjes së kësaj marrëveshjeje, është cenuar interesi i shtetit shqiptar dhe nëse grupi negociator ka respektuar legjislacionin në fuqi dhe është udhëhequr nga interesi publik.
Me Ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe ‘CEZ a.s.’” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike.
Mirëpo “CEZ a.s.” nuk zbatoi kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licencës së “CEZ a.s.” dhe orientoi qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 nëntor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fitues të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains” dhe “Gharavi & Lazareff”.
Çfarë ndodhi në nëntor 2012?
Në nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me “CEZ a.s.”, studio ligjore ndërkombëtare këshilluan qeverinë shqiptare t’i hiqte licencën “CEZ Shpërndarje sh.a.” dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, “CEZ a.s.” duhet të mbante përgjegjësi për:
a) Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të “CEZ a.s.” sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e “CEZ Shpërndarje” të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milionë euro;
b) Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
c) Likuidimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milionë euro.
Në përfundim të procesit të auditimit dhe vlerësimit ligjor e financiar, pas konstatimit të gjendjes kritike, “CEZ Shpërndarje” vetëdeklaron se ka dështuar në realizimin e objektivave të përcaktuara në deklaratën rregullatore. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) me vendimin nr. 4 dhe nr. 5, datë 21.1.2013, ka mbajtur qëndrimin se shoqëria “CEZ Shpërndarje sh.a.” është në shkelje të kushteve të licencave RPS dhe DSO, për këtë shkak, ka vendosur heqjen e licencave të mësipërme dhe kalimin e shoqërisë “CEZ Shpërndarje sh.a.” në administrim të përkohshëm.
Më 5 mars 2013, CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 15.05.2013 shoqëria “CEZ a.s.”, Pragë, pas heqjes së licencave dhe vendosjes së shoqërisë nën administrim të përkohshëm, paditi e para Republikën e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL, duke ngritur një sërë pretendimesh ligjore dhe financiare.
Më 19 prill 2013 studioja ligjore ndërkombëtare i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim.
Më 28 gusht 2013 është nënshkruar kontrata me firmat “BDO” dhe më pas me “Becker Buttner Held” që do të përfundonte në 8 javë vlerësimin teknik të “CEZ sh.a”. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cenimin e interesave ekonomike të Republikës së Shqipërisë dhe kërkon ndërmarrjen e disa masave.
Mirëpo, procesi ndryshoi në mënyrë të papritur, për shkak se me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 969, datë 25.10.2013 është vendosur të ngrihet Grupi i Punës dhe fillimi i procedurave të negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ a.s”. Grupi negociator kryesohej nga z. Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.
Çfarë u fsheh nga qeveria në shkurt 2014?
Në shkurt 2014 janë përgatitur raportet e ekspertëve (vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër “CEZ a.s.” dhe nga “CEZ a.s.”), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga qeveria dhe raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin referuar termave të kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të qeverisë që më 10 shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:
(I) “CEZ a.s.” nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 vlerësimi i padive “BDO”);
(II) kompania u shkatërrua me qëllim nga “CEZ a.s.”, e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 raporti “BDO”);
(III) paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
(IV) CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA (fq. 75-79 “BDO”);
(V) pjesa takuese e shtetit shqiptar 24% kishte shkuar në zero (80-100 “BDO”);
(VI) e gjithë vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 “BDO”);
(VII) paratë e mbledhura nuk ishin investuar, por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazmë të kontraktuara nga CEZ (fq. 92-97 i raportit “BDO”);
(VIII) “CEZ a.s.” kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milionë në vitin 2007 në 53 milionë në janar të vitit 2013;
(IX) “CEZ Shpërndarje” në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek “CEZ a.s.” në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq. 100 “BDO”);
(X) heqja e licencës nga ERE ishte mëse e drejtë;
(XI) faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 miliardë lekë (fq. 102-106 i “BDO”);
(XII) paditë e paraqitura nga “CEZ a.s.” janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq. 132 “BDO”);
(XIII) paditë në lidhje me taksat, të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliardë lekë (fq. 125 i “BDO”).
Detyrimi i kompanisë CEZ ndaj Shqipërisë, 1.4 miliardë euro
Pas zhvillimit të një sërë takimeve negociuese për rreth 6 muaj, në zyrat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Grupi i Punës, me vendimin nr. 2, datë 19.06.2014, ka miratuar marrëveshjen e arritur me “CEZ a.s”. Procedura e negocimit ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes me mirëkuptim nga Grupi i Punës më datë 23.06.2014, përcjelljen në Këshillin e Ministrave dhe miratimin e saj me Ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
Pra, pavarësisht se detyrimi që kompania “CEZ a.s.” i kishte shtetit shqiptar vlerësohet mbi 1 bilion euro (500 milionë USD “CEZ a.s.” i detyrohet vetëm KESH dhe OST), qeveria “zgjidhi” me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i paguar “CEZ a.s.” 95 milionë euro.
Detyrimet e marra përsipër nga shteti shqiptar nuk përputhen me realitetin dhe janë të pambështetura në ligj dhe prova. Shteti shqiptar ka marrë përsipër pagesën prej 36.9 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe IFC-ja mbi bazën e kontratave të lidhura nga “CEZ Shpërndarje sh.a”. Në vlerësimin e ekspertit të “BDO” “LLP” qartësisht provohet që huaja nuk është përdorur për investime. Kjo nënkupton që shteti shqiptar ka njohur një kredi, e cila nuk është përdorur për të realizuar investimet për të cilën ishte kërkuar.
Nga ana tjetër, merret përsipër të paguhet shuma prej 17.4 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga disa marrëveshje overdraft me banka të nivelit të dytë në Shqipëri.
Gjithashtu, shuma prej 25.1 milionë eurosh që përfaqëson detyrimet e “CEZ Shpërndarje sh.a.” ndaj shoqërisë “CEZ a.s.”, Pragë dhe CEZ Trade Albania, për energjinë elektrike të lëvruar nga këto të fundit për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, nuk rezulton që të jenë vlerësuar dhe verifikuar nga Grupi i Punës. Konstatohet lehtësisht se detyrimi për energjinë elektrike të blerë nga “CEZ a.s.” dhe CEZ Trade sipas pasqyrave financiare të vetë shoqërisë është shumë më e ulët se detyrimi i marrë përsipër. Ndërkohë që rezulton e provuar se shteti shqiptar ka njohur detyrime për mallra dhe shërbime, të cilat nuk kaluan tek “CEZ Shpërndarja sh.a.”, në shumën 6.1 milionë euro, shumë që përfaqëson detyrimet që “CEZ Shpërndarje” i ka pasur shoqërisë CEZ Albania.
Asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me “CEZ a.s.”, përveç konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë patur klientë “CEZ a.s.” apo kanë qenë të punësuar nga “CEZ a.s.”!
Për të gjitha faktet më sipër, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ a.s.”, të miratuara me Ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014 është e nevojshme të realizohet një kontroll parlamentar, me qëllim evidentimin e pëgjegjësive administrative dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira në mbrojtjen e interesit publik dhe shmangien e këtyre pasojave negative për të ardhmen.