Veliaj rrit me 35% çmimin e ujit, a do të protestohet?

Me një vendim absurd dhe në pabesi ndaj komunitetit vemja e Tiranës në bashkëpunim me kryehajdutin në krye të qeverisë kanë vendosur në pabesi ndaj komunitetit të rrisin me 35% çmimin e ujit të pijshëm. Vendimi vjen vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të blera të 25 qershorit dhe është sinjal i qartë se mandati i dytë do të jetë sërish mandat i rritjes së taksave dhe zhvatjes së tyre nga një grusht i vogël pushtetarësh përmes tenderave dhe koncesioneve.
Veliaj vendosi rritjen me gati 35% të çmimit të ujit për metër kub. Dje mediat kanë zbardhur vendimin që propozon Bashkia Tiranë për Këshillin Bashkiak, ku janë parashikuar të gjitha tarifat e reja. Sipas tabelës përkatëse çmimi i ujit të pijshëm do të rritet në masën 35% për familjarët ashtu si edhe për bizneset. Rritja e çmimit të ujit nga Bashkia Tiranë u paralajmërua një javë më parë, teksa UKT bashkë me Veliajn u bëri një thirrje të beftë të gjithë konsumatorëve e bizneseve të kursenin ujin në çdo pikë pasi përndryshe do të kishte pasoja. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.  Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj. Relacioni i Bashkisë flet për rritje të investimeve dhe sigurimin e ujit 24 orë për Tiranën. Në vendim, parashikohet që të mos ndryshojë tarifa për ujërat e ndotura. Që pas zgjedhjeve, bashkia ka nisur një fushatë agresive kundër lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm dhe kjo jo pa qëllim. Duket se kjo po i paraprin vendimit të ri. Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e mërkurë, ku pritet të ketë debate të gjata për tarifën e re. Bashkia argumenton se, “bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit, të cilat rriten nga 90% në vitin 2017 në 91% në vitin 2018?. Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projektvendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lekë/m3. Mediat kanë botuar tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018. Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. “Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish-NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT”, thuhet në relacion. Analiza e kërkesës për ujë ka parashikuar ndryshimin në nivelin e prodhimit të ujit deri në vitin 2021. “Prodhimi aktual është 106 milionë/m3 dhe deri në vitin 2021 parashikohet të shkojë në 62 milionë/m3 që ndryshe përkthehet ulje prej 42%. Ky reduktim vjen si rezultat i zbatimit të aksioneve për uljen e nivelit të ujit pa të ardhura, si dhe një menaxhimi më efikas të kërkesës për ujë nëpërmjet zbatimit të një programi tërësor të matjes nga burimi tek konsumatori”. Bashkia argumenton se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% më 2016 në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021 dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018″.

Veliaj shpiku “thatësirën” për të rritur çmimin

Nuk është thatësira që la pa ujë qytetarët e Tiranës prej dy javësh, siç pretendoi kreu i Bashkisë, Erion Veliaj. Liqeni i Bovillës është plot e përplot me ujë, por Veliaj po mashtron qytetarët për të rritur çmimin e ujit të pijshëm. Një qytetar ka denoncuar mashtrimin e Veliajt, duke i dërguar një foto të rezervuarit të Bovillës që është plot me ujë. Qytetari shkruan se inxhinieri që ndodhej në Bovillë është shprehur se po mashtrohet për mungesën e ujit për të rritur çmimin. Ish-kryeministri Berisha shkruan në faqen e tij në Facebook se, situata e rëndë e furnizimit me ujë në Tiranë është krijuar nga Veliaj. “Diga e Bovillës është plot, por Tirana pa ujë! Lal plehu shuan etjen e banorëve me mashtrime. Ai do të rrisë çmimin e ujit. Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e Liqenit të Bovillës që ka dërguar për ju qytetari dixhital”, shkruan Berisha. “Përshëndetje zoti Berisha. Sot isha në Bovillë për qejf dhe çfarë thotë Veliaj se nuk ka ujë Bovilla, është mashtrim. Po të shkosh në Bovillë do të shikosh se ka ujë boll dhe për fat ishte edhe inxhinieri aty. E pyes pse mashtrojnë këta që nuk ka ujë, ai thotë duan të rrisin çmimin e ujit, prandaj thonë s’ka ujë, por Bovilla është plotë”, shkruan qytetari, i cili i ka dërguar Berishës edhe një foto të Bovillës. Tirana nuk ka ujë në çezma në shtëpitë e qytetarëve, pasi sipas Veliajt, mungon uji i Bovillës për shkak të thatësirave, por ky është një mashtrim i tij, pasi Bovilla është plot e përplot me ujë. Veliaj kërkon të terrorizojë banorët për gjoja mungesën e ujit për ta patur më të lehtë që të rrisë çmimin e ujit të pijshëm. Në këtë mënyrë, ai kërkon të justifikohet se mungesa e ujit në Bovillë e detyron të rrisë çmimin. Ndonëse jetike për qytetarët, Veliaj fsheh arsyet e vërteta se përse kryeqytetasit duhet të përballen me mungesën e ujit. Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka argumentuar se shkak i mosfurnizimit me ujë është thatësira e madhe dhe rritja e kërkesës për konsum nga ana e qytetarëve. Janë qytetarët, ata të cilët vuajnë mungesën e ujit. Madje shumë zona në Tiranë rrezikojnë përhapjen e epidemive. Tirana prej ditësh është prekur nga ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm, aq sa edhe pse jemi në vitin 2017, qytetarët ju rikthyen sërish “radhës”, për të mbushur ujë rrëzë Dajtit.

E njëjta skemë edhe me rritjen e çmimit të biletave të urbanëve

Me t’u ulur në karrigen e kryebashkiakut, Veliaj rriti taksat dhe çmimin e biletës të autobusëve urbanë. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 30 dhjetor 2015, në kushtet e mungesës së transparencës, pa e publikuar më parë projektvendimin dhe pa konsultim publik, rritjen e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë. Veliaj mashtroi qytetarët, duke thënë se rritja e çmimit të biletës për urbanët u bë për indeksim. Por KLSH zbuloi se ishte shkelje e Bashkisë rritja e çmimit të biletës së urbanëve. Bashkia e Tiranës pranoi se konkluzionet e një raporti kritik të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi vendimin për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, qëndrojnë se dhe në të vërtetë, rritja e çmimit nuk qe indeksim, por thjesht një rritje e ndërmarrë për të kënaqur operatorët privatë të transportit publik. Bashkia pranoi gjithashtu se, formula e përcaktuar në rregullimin e indeksimit të çmimit nuk është zbatuar, siç është vërejtur edhe nga raporti i KLSH-së. Indeksimi i çmimit nënkupton rritjen e një çmimi të kontrolluar nga autoritetet sipas normës së inflacionit zyrtar të matur nga Instituti i Statistikave. Rritja e çmimit të biletës së transportit urban nga 30 në 40 lekë, e cila nënkupton rritjen e çmimit me 33 për qind, në fakt qe shumë më e lartë se sa rritja e inflacionit nga viti 2008 deri në vitin 2015.

Bashkia Tiranë, rekord për rritjen e taksave

Qeveria pranon në një dokument të saj të fundit se bashkitë në vend kanë rritur shpenzimet e tyre për paga. Referuar këtij dokumenti thuhet se ajo që mund të ketë ndodhur është ose rritja e nivelit të pagave për punonjësit aktualë ose rritja e numrit të të punësuarve në bashki. Gjithsesi kjo rritje e shpenzimeve nuk është në linjë me atë që synonte reforma territoriale. “Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për personelin në tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë 4.3 miliardë lekë nga 3.5 miliardë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje me të paktën 25% në fondin që shkon për personelin justifikohet pjesërisht edhe me financimin e funksioneve të reja, por jo totalisht. Mbledhja e të ardhurave ka qenë dhe mbetet një sfidë për pushtetin vendor, i cili në shumë raste has ngërçin e mungesës së kapaciteteve. Gjithsesi duket se tremujori i parë 2017 reflekton një ecuri të mirë në zërin e të ardhurave për bashkitë, kjo në veçanti për Bashkinë e Tiranës, e cila mban edhe peshën kryesore. Në tremujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport. Nëse nga totali i të ardhurave zhvishet efekti i Bashkisë së Tiranës të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë taksa e ndikimit në infrastrukturë vetëm në Bashkinë e Tiranës është 1.3 miliardë lekë ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera është 400 milionë lekë në total. Tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël ka pësuar edhe rënien më drastike nga gjithë zërat e tjerë tek të ardhurat. Në tremujorin e parë 2017 kemi një rënie me 93% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Një tjetër problematikë duket se po shfaqet edhe për taksën mbi truallin. “Vlen të evidentohet se të ardhurat nga taksa mbi truallin urban e prezantuar së fundmi, janë në nivelin zero për tremujorin e parë. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe një problemi të raportimit financiar dhe një vlerësim më i thellë do të duhej të bëhej nga autoritetet”.

Artikulli paraprak1 milion litra naftë e refuzuar nga Kosova shitet në Shqipëri
Artikulli tjetërI Çmenduri çmend vendin, Shqipëria në depresion