Tre punonjës të Tatimeve të Tiranës janë vënë në pranga nga policia, pasi akuzohen se kanë marrë një shumë prej 400 mijë lekësh të vjetra. Denoncimi është bërë administratorja e një biznesi në Spille të Kavajës dhe më pas është organizuar operacioni i koduar “TND”. Sipas policisë në pranga janë vënë Ermal Harizaj, 37 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë. Ervin Pupuleku, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë, dhe Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.
Arrestimi i këtyre personave u bë, pasi, më datë 21.07.2017, ora 17:00, të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat në Spille Kavajë, me administratore shtetasen A. M., duke shpërdoruar detyrën i kanë marrë administratores shumën prej 40 mijë lekë (të rinj). Vijon puna për dokumentimin, nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën ndaj bizneseve.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 e 25 të Kodit Penal, për ndjekje dhe hetime të mëtejshme.
Policia e Shtetit u bën thirrje çdo sipërmarrjeje apo subjekti tregtar, që gjendet në kushte shtrënguese si pasojë e sjelljes abuzive të punonjësve të shtetit, të denoncojnë pa ngurrim dhe i siguron të gjithë për gatishmërinë për të reaguar në kohë reale e në mbështetje të çdo viktime të shpërdorimit të detyrës.