Gashi i lumtur për Kosovën

Futbollisti i Kombëtares shqiptare Shkëlzen Gashi, i cili luan në SHBA për Kolorado Rapids, e ka vlerësuar si një moment historik pranimin e Kosovës në UEFA. Duke folur për “MLSsoccer.com”, Gashi ka thënë se lojtarët e Kosovës i kanë treguar me kohë botës se çfarë është në gjendje të bëjë futbolli kosovar.
Portali amerikan shkruan se Shaqiri, Xhaka, Berhami dhe Gashi u rritën me të rinjtë e Zvicrës. Ndërsa Gashi zgjodhi të luajë për Kombëtaren shqiptare përkrah Canës, ekip i cili është kualifikuar për në finalet e Europianit do të luhet në Francë. “Shumë futbollistë të mirë vijnë nga Kosova”, ka thënë Gashi, duke shtuar se, “ne jemi krenarë për këtë dhe mundohemi të bëjmë më të mirën tonë”.
Portali amerikan pasqyron diferencën e ngushtë të votave 28 pro dhe 24 kundër me të cilat Kosova u bë pjesë e UEFA-s tri ditë më parë, ndërsa ndalet shkurtimisht edhe te qëndrimet kundër që mbajti Serbia.
Pas përfshirjes zyrtarisht në “qeverinë e futbollit europian”, Gashi ka shprehur dëshirën që Kosova të bëhet pjesë edhe e FIFA-s, si dhe ka lënë paqartësi më pas për sa i përket të ardhmes së tij. “Unë shpresoj që FIFA ta pranojë Kosovën në mënyrë që ata mund të jenë pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës. Kjo do të ishte një ditë shumë e bukur për futbollistët dhe për vendin. Çfarë do të ndodhë rrugës më pas, këtë nuk e di”.

Artikulli paraprakOxlade-Chamberlain humbet Euro 2016 me Anglinë
Artikulli tjetër“Kicker”: Këlni kërkon rinovimin e Mavrajt