Një person ka gjetur vdekjen dhe tre të tjerë janë plagosur në dy aksidente që ndodhën ditën e djeshme në Tiranë dhe Durrës. Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur dje në aksin rrugor, Durrës-Rrogozhinë. Burimet e Policisë Vendore bëjnë të ditur se, sot shërbimet e Policisë Kavajë, arrestuan në flagrancë Soren Veshaj, 28 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në rrugën “Durrës-Rrogozhinë” në vendin e quajtur “Mbikalimi Vorrezave”, duke drejtuar mjetin tip “Mercedes”, është përplasur në pjesën e prapme të mjetit tip “Iveco” me drejtues shtetasin B. Xh., 49 vjeç, i cili kishte ndaluar në rrugën kryesore.
Nga përplasja e mjeteve ka gjetur vdekjen Xh. Xh., 24 vjeç, banues në Vlorë, pasagjer në mjetin tip “Mercedes”. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit S.V., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.
Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet ka ndodhur një aksident automobilistik. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autobuzi i linjës së Yzberishtit u përplas me atë të Tiranës së Re. Shkaktar për përplasjen ka qenë një automjet tip “Fuoristradë”, i cili i preu rrugën urbanit të Tiranës së Re dhe në momentin e frenimit goditi autobuzin e linjës së Yzberishtit, i cili po udhëtonte me shpejtësi pas tij.
Sipas të dhënave në aksident kanë mbetur të plagosur 3 persona që udhëtonin me autobuzin e Tiranës së Re. Pasqyra e përparme e autobusit të Yzberishtit hyri në pjesën e pasme të autobusit të Unazës së re, duke goditur pas koke një zonjë rreth 50 vjeç, e cila mbeti e gjakosur në kokë dhe krahë. Ndërsa dy persona të tjerë kanë marrë plagë në qafë dhe në krahë nga krisja e xhamit. Ambulanca dhe policia arritën në vendngjarje 10 minuta pas aksidentit.