Pasi rinovoi kontratën duke vendosur të vijojë me projektin e Chelsea-t, Antonio Konte po projekton afrimet e reja në merkato. 80 milionë eurot e shpenzuara për Alvaro Moratën janë vetëm fillimi i një merkatoje në hyrje për Blutë e Londrës. Trajneri italian ka qëndruar me synimin për të mbrojtur titullin kampion, teksa kushti i parë ishte përforcimi i skuadrës, duke qenë se këtë sezon Chelsea rikthehet të luajë në Europë pas një viti mungesë. Sipas shtypit anglez, në dispozicion të Kontes janë plot 280 milionë euro për të përforcuar ekipin, ndërsa vetë trajneri ka piketuar emrat që dëshiron të afrojë. Nuk është më një mister që mbrojtësi brazilian i Juventusit, Alex Sandro është një preferencë e Kontes teksa mbyllja e marrëveshjes me klubin torinez nuk duket e pamundur.
Një tjetër emër që përflitet prej javësh është ai i Fernando Llorentes, sulmuesi i Swansea, një njohje e vjetër e trajnerit italian. Për të përforcuar mbrojtjen Konte kërkon me ngulm Virgil van Dijk të Southampton, madje holandezi nuk stërvitet me ekipin prej disa ditësh, pasi ka kërkuar të largohet. Emri i fundit në listën e 48-vjeçarit italian është bashkëkombasi i tij, mesfushori i Interit, Antonio Candreva. Ditët e fundit ka qenë menaxheri i futbollistit të kombëtares italiane ai që ka hapur një dritare për largimin e mesfushorit, që me shumë mundësi mund t’i bashkohet londinezëve për një aventurë të re. Për të 4 këta futbollistë Konte ka një buxhet prej 280 milionë eurosh dhe tashmë ka nisur tratativat për t’i veshur me fanellën e Chelsea-t, në mënyrë që kampionët të nisin sezonin të kompletuar me objektivin për të mbrojtur titullin, por edhe për të shkuar sa më larg në Champions League.