Si po vritet Vjosa, mrekullia e fundit blu e Europës

“Die Spiegel”

Në Shqipëri ambientalistët dhe qytetarët janë ngritur kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja në lumenjtë e vendit. Ujërat e fundit natyrore në Evropë janë rrezik, e bashkë me to dhe habitate të rrallë.
Media gjermane “Spiegel”, në një artikull të sajin flet për vizitën dhe studimin e dy biologëve nga Instituti i Hidrobiologjisë dhe Menaxhimit të Ekosistemeve Ujorë në Vjenë, në lumin e Vjosës në Shqipëri. Ndër të tjera në artikull shkruhet:
Lugina e Vjosës, rreth 50 kilometra përpara grykës së Adriatikut, është si parajsë. Asnjë rrugë apo urë nuk e pengon apo ndërpret pamjen piktoreske prej 270 kilometrash të Vjosës e degëve të saj.
Kodra e male ngjiten në krah të saj, madje në maja vihet re ende dëbora edhe pse jemi në muajin maj. Ullishte rriten në shpatet e tyre.
Por kjo pamje piktoreske në jug të Shqipërisë është në rrezik. Në Poçem, ku njëri prej biologëve, Paul Meulenbroek nxjerr njëri pas tjetrit disa peshq nga uji, do të ndërtohet së shpejti diga e një hidrocentrali. Habitati tipik i peshkut të lumit do të shkatërrohej, shumë lloje të tjera të gjallesa e bimëve që rriten aty rrezikojnë të zhduken. Vetë banorët që jetojnë e ushqehen nga ky lumë rrezikojnë të humbasin jetesën e tyre.
Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, por një Vendim për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis për ndërtimin e hidrocentraleve kërkohet nga ligji edhe këtu.
Kompania turke “Kovlu Energji”, që do të ndërtojë hidrocentralin, në të vërtetë e ka paraqitur një dokument të tillë. Ai u hartua nga një kompani konsulence private në Tiranë. Por për profesorin e zoologjisë në Universitetin e Vjenës, Friesdrich Schiemer, dokumenti është thjesht një karikaturë e kopjuar.
“Dokumenti përbëhet kryesisht nga pasazhe të kopjuara nga opinione ekspertësh të ndryshëm dhe nuk është bërë asnjëherë ndonjë studim në terren”.
Së bashku me kolegë të tjerë Schiemer ka organizuar një inventar të florës dhe faunës – mbështetur nga organizatat në mbrojtje të mjedisit, Riverwatch nga Vjena dhe EcoAlbania nga Tirana. 30 studiues e shkencëtarë nga Austria, Gjermania dhe Shqipëria kanë punuar në luginën e Vjosës.
“Kam pasur vetëm një ide të përafërt se çfarë speciesh mund të jetonin këtu”, shprehet bilogou Meulenbroek. Ai ka kapur më shumë se 20 lloje të ndryshme peshqish brenda tri ditësh – duke përfshirë ngjala, barbale dhe baleta, si dhe peshq që zakonisht nuk jetojnë në lumenj. Ai nuk e njeh shumicën e specieve. Pothuajse të gjitha kafshët lëshohen pas një studimi të shkurtër. Nëse diga do të ishte ndërtuar tashmë, asnjë nga peshqit nuk do të rritej më aty.
Fakti që studiues nga Gjermania e Austria luftojnë në Shqipëri për lumenjtë natyrorë është paksa ironike. Lumenjtë në vendet e tyre, Danubi, Maini e të tjerë janë betonizuar deri në atë pikë sa pothuaj nuk njihen më si vendbanime të specieve.
Vetëm gjatë 20-30 viteve të fundit kemi filluar të kuptojmë rëndësinë që kanë për natyrën, lumenjtë e paprekur, shprehen bilogët.
“Duam të parandalojmë që shqiptarët të përsërisin të njëjtat gabime që ne kemi bërë në të shkuarën”.

Fotografi nga Kalifornia zbulon “kuçedrën” shqiptare, që po “përpin” lumenjtë

Për katër vitet e fundit, fotografi Oegger St. Nick, me origjinë nga Kalifornia, ka eksploruar Shqipërinë, duke fotografuar peizazhet e saj të mrekullueshme dhe duke mësuar në lidhje me historinë komplekse të këtij vendi në Ballkanin Perëndimor, shkruan “The Calvert Journal”, e specializuar për udhëtimet dhe fotografinë. Ai u vendos për herë të parë në Shkodër, qyteti më i madh verior, në kufi të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Më pas fotografi kaloi në jug, ku ai thotë: “Ndihet më Mesdhe dhe ka një ndikim të fortë grek, më shumë kisha ortodokse dhe fshatrat minoritarë që flasin greqisht”. Duke përdorur lumin e fundit të egër të Europës, Vjosa, si një udhëzues, fotografi shpejt zbuloi se peizazhet e pastër dhe të egër, si dhe lumi vetë, ishin nën kërcënim nga një projekt i propozuar i digës së hidrocentralit. Seria e tij fotografike quhet “Kuçedra”, sipas një dragoi nga folklori shqiptar dhe tregon urgjencën e ruajtjes së këtij rajoni të virgjër.
Oegger St. Nick thotë se e zbuloi rastësisht këtë vend, pasi lexoi një artikull të vogël që fliste për kërcënimin që po i vinte lumit. Vjosa rrjedh nëpër një luginë në afërsi të fshatit Zhepë, në kufi me Greqinë. Lumi rrjedh pa pengesa për 270 km dhe derdhet në Detin Adriatik dhe shumë prej degëve të tij janë në gjendje të mirë, duke e bërë këtë sistemin e fundit të pacenuar të lumenjve të egër në Europë. Pavarësisht premtimeve për ta kthyer Vjosën në një park kombëtar, tetë projekte hidrocentrale janë propozuar përgjatë tij nga qeveria shqiptare.
Dy lumenjtë, ai i Drinos dhe Bença, bashkohen me Vjosën pranë qytetit të Tepelenës. Ndërtimi është duke u zhvilluar në Bençë tashmë dhe një tubacion që ka devijuar lumin në një stacion hidroenergjetik nëntokësor, ndërsa një projekt i ngecur në Kalivaç, aty pranë, ka shpallur sërish ofertat kohët e fundit. “Natyra në Shqipëri ka qenë një frymëzim i madh për mua; ajo është aq e pastër dhe e egër, kështu që unë vendosa se ishte me të vërtet e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi në lidhje me Vjosën. Digat në Vjosë do të dëmtonin këtë shembull të fundit të një ekosistemi të pacenuar të lumit në Evropë, si dhe të ndryshonin rrjedhën e jetës për njerëzit që jetojnë aty, pas përmbytjeve, humbjes së tokave bujqësore dhe do të frenonte turistët për të vizituar zonën”, thotë autori në artikull.
Përmeti është një qendër kulturore në jug të Shqipërisë, konsiderohet edhe për muzikën tradicionale të saj, artit dhe ushqimin. Vjosa është pjesë integrale e industrisë në rritje të turizmit në këtë zonë, duke u sjellë vizitorëve të interesuar në rafting dhe kayaking. Vendorët shqetësohen se prirja drejt hidrocentralit, që do të ketë pasoja për bizneset, të cilat janë të varura nga rrjedha e natyrshme e lumit. Ekoturizmi ka filluar ngadalë të zhvillohet në këtë zonë, duke tërhequr të pasionuarit për ecje, rafting dhe peshkim.
Fshati Kuta ka qenë ndër të parët që ka protestuar kundër projekteve të hidrocentraleve mbi Vjosë. Ndërtimi i një dige të propozuar në burimet e Poçemit do të përmbyste pjesën më të madhe të zonës bujqësore. Mundësitë janë të kufizuara në fshat dhe rruga me cilësi të dobët që lidh atë në autostradën kryesore pengon tregtinë me zonat e tjera. Autori jep foto të disa shkencëtarëve nga Gjermania dhe Austria, që po udhëtojnë me trap poshtë Vjosës pranë Kuta, duke mbledhur bimë të ujit dhe mostra të kafshëve për të ndërtuar një rast për bllokimin e ndërtimit të digës pranë burimeve të Poçemit. Diga mbi lumë do të ketë pasoja të rënda për peshqit migratorë, duke përfshirë edhe ngjala të rrezikuara dhe specie të tjera që tashmë janë zhdukur në Evropën Qendrore. Autori sjell dhe disa histori të fshatarëve të zonës, që ankohen se ndërtimi i hidrocentraleve do të prishë rrjedhën normale të jetës së tyre, si dhe sjell foto të disa zonave me pamje të egër, që do të zhdukeshin nga ndërtimi i digave.

Artikulli paraprakRënia drastike e turizmit, vdekje dhe ndotje në bregdetin shqiptar
Artikulli tjetërEdhe shkollat me koncesion, fatura 60 milionë euro