Reali i Madridit përgatit një tjetër largim. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, klubi “Los Blancos” është gati të pranojë ofertën e Tottenham për mesfushorin Mateo Kovaçiç. Për të siguar shërbimet e kroatit, klubi anglez do të derdhë në arkat e Realit të Madridit 40 milionë euro.
Jonathan dos Santos mund të largohet nga Villarreal. Reparti i avancuar tek “Nëndetësja e Verdhë” është i mbingarkuar, nisur nga ky fakt me shumë gjasa ai që do t’i japë lamtumirën ekipit është pikërisht meksikani, i cili mund të nisë një aventurë të re, në Amerikë tek Los Angeles Galaxy, aty ku luan vëllai tij Giovano dos Santos.
Premier League mund të jetë destinacioni i radhës për Aymen Abdennour. Mbrojtësi i Valencia-s shumë shpejt mund të nisë një aventurë të re në kampionatin anglez, tek Watford. Drejtuesit e Valencia-s nuk janë të kënaqur me paraqitjet e tunizianit dhe nisur nga ky fakt ata e shohin si të arsyeshme largimin e tij.
Sevilla vazhdon të jetë e interesuar për Jesus Navas. Presidenti i skuadrës andaluziane, Jose Castro ka konfirmuar interesin e tij për të rikthyer në skuadër spanjollin, madje i kanë paraqitur dhe ofertën e tyre Man.City. Më tej numri një i Sevilla-s shtoi se ata janë besimplotë se në ditët në vazhdim do të arrihet dhe akordi për transferimin e 31-vjeçarit.