Rekord shpenzimesh

998 milionë euro të shpenzuara në 10 vjet, jo për llogarinë e tij, por për klubet në të cilat ka punuar. Në planet nuk ka asnjë trajner që ka shpenzuar më shumë se Pep Guardiola, i cili ka drejtuar tre nga klubet më të pasura të planetit, fillimisht Barcelonën dhe më pas Bayern Munchen e Manchester City. Një mal me para që do të mjaftonte për të blerë dy apo tri klube të njohura europiane. Aspekti i vetëm pozitiv është fakti se pas largimit të tij, Guardiola lë një pasuri të madhe në klubet ku ka punuar, sektorin e të rinjve tërësisht të ristrukturuar dhe të gatshëm për të prodhuar talente të kalibrit botëror.
Në klubet që ka drejtuar, trajneri katalanas ka kërkuar përherë sakrifica të mëdha ekonomike nga drejtuesit dhe në shumicën e rasteve, presidentët ia kanë plotësuar dëshirat. I fundit në radhën e shpenzimeve marramendëse është mbrojtësi i krahut të majtë Benjamin Mendy, të cilin e shkëputi nga Monaco për 57 milionë euro. Një rekord më vete për një mbrojtës që thyen rekordin e John Stones edhe ai i blerë nga City verën e shkuar për 55 milionë. Përveç Mendy, gjatë kësaj vere “Citizens” kanë shpenzuar në total 138 milionë vetëm për mbrojtjen pasi me skuadrën janë bashkuar edhe Walker e Danilo.
Gati një miliard euro që prej vitit 2008 dhe deri më sot, nga të cilat 240 milionë të shpenzuara nga City vetëm gjatë kësaj merkatoje. Po të kthehemi pas në kohë, te Barcelona vetëm në vitin e parë Guardiola shpenzoi 96 milionë euro për të afruar Dani Alves e Keita. Në total, si timonier i Citizens, Pep ka arritur të shpenzojë 453 milionë, pothuajse dyfishin e shpenzimeve që ka bërë me Barcelonën dhe Bayernin pasi te katalanasit i shkëputi klubit 341 milionë, ndërsa në Bavari nuk e kaloi kufirin e 203 milionëve. Në klasifikimin e përgjithshëm të blerjeve më të shtrenjta vendin e parë e mban Zlatan Ibrahimoviç me rreth 70 milionë, i ndjekur nga Mendy, Stones, Walker, Sane, Silva, Villa, Ederson, Gotze dhe Vidal që mbyll klasifikimin me 37 milionë.
Ndërkohë, Manchester United po kërkon një përforcim cilësor për mesfushën dhe emri që pëlqehet më shumë nga Jose Mourinho është Eric Dier, mirëpo Tottenhami është i vendosur për të mos u privuar nga shërbimet e futbollistit. Për këtë arsye “Djajtë e Kuq” kanë hedhur sytë edhe nga Renato Sanches i Bayernit, që synohet gjithashtu edhe nga Milani.

Artikulli paraprakLa Liga, Mateo Kovaçiç drejt largimit nga Reali
Artikulli tjetërFabregas nuk i trembet konkurrencës