Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ndaluar nga policia në Aeroportin e Amsterdamit mesnatën e të hënës për një kontroll të imtësishëm. Pas mbarimit të ceremonisë së betimit të Presidentit Ilir Meta, kryeministri Rama është nisur drejt Rinasit. Aty e priste një çarter dhe rreth orës 24:00 të ditës së martës, Rama ka udhëtuar për jashtë vendit me destinacion sekret. Një qytetare që ndodhej në Aeroportin e Amsterdamit ka shkrepur një foto të Edi Ramës, ku sipas saj, kryeministri po shoqërohet nga Policia e Aeroportit për verifikim në një zyrë.
“Kryeministri i Rilindjes udhëtonte mbrëmë për Holandë, si karagjoz që është, prapë me atlete sikur po shkon të luaj futboll. E ndalon policia holandeze dhe e merr në zyrë. Ky nuk është kryeministri im, por i deleve që e votuan. Shkoi me pushime në Holandë, po ju pabuksa që e votuat ku do i bëni pushimet? Apo po mendoni ku të gjeni lekë për librat e fëmijëve tuaj?”, shkruan dërguesja e fotos.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar në faqen e tij sociale Facebook edhe foton e kryeministrit Rama i bllokuar në Aeroportin e Amsterdamit për një kontroll të imtësishëm. “Parmbrëmë vonë u nis me çarter privat si Sheik nga Shqipëria, por bllokohet si suspekt gjatë një kontrolli nga policia në Aeroportin e një vendi të BE! Nuk dihet nëse çarterin e paguan takspaguesit shqiptarë apo dikush e peshoi në çarter Noriegën shqiptar!”, shkruan Berisha.
Lajmi është publikuar dje nga shumë portale online, të cilat kanë zbuluar detaje të tjera të udhëtimit të Edi Ramës në Holandë. Një zyrtar i Kryeministrisë tha se, në momentin kur u bë fotoja që është shpërndarë në rrjetet sociale, Rama ishte duke u bërë një kontroll i pasaportës, më pas ai është urdhëruar nga kontrollorët që të spostohej nga sporteli për një kontroll të imtësishëm. Disa punonjës policie e kanë shoqëruar në një zyrë dhe pas kontrollit të rreptë e kanë lënë të lirë kryeministrin shqiptar.
Nuk dihet qëllimi i udhëtimit të kryeministrit Rama drejt Holandës. Sipas informacioneve, Rama ka mbërritur rreth orës 02:00 të natës në Aeroportin e Amsterdamit. Siç dallohet edhe nga fotot e publikuara tashmë në media, Rama nuk shoqërohej nga eskorta e tij, pasi ishte në një udhëtim privat.
Fotoja u shpërnda në rrjetet sociale dhe më pas në portale me interpretimin se, kryeministri ishte ndaluar dhe po i kryhej një kontroll specifik. Më pas, Rama është lënë i lirë të lerë Aeroportin e Amsterdamit.