PD dhe LSI bojkotuan mbledhjen çfarë do të bënte të pamundur arritjen e kuorumit- numrit minimal të anëtarëve që duhet për zhvillimin e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak Tiranë ka 61 anëtarë dhe kuorumi për mbledhjet e tij është të paktën sa gjysma e anëtarëve, pra 31 këshilltarë. Koalicioni i djathtë me PD-në ka 19 këshilltarë në Këshill dhe LSI ka 13 këshilltarë, pra së bashku kanë 32 këshilltarë çfarë përbën jo vetëm shumicën në Këshill, por edhe kushtëzojnë arritjen e kuorumit në Këshill.
Saktësisht, dy anëtarë të LSI aq sa duhet për arritjen e kuorumit kanë marrë pjesë në mbledhje, sipas udhëheqësve të LSI-së në shkelje të vendimit partiak. Në dukje mbledhja e ditës së mërkurë shfaqet si legjitime. Por ka një ndërlikim që e heq legjitimitetin dhe me gjasa edhe ligjshmërinë e mbledhjes së të mërkurës.
Pjesëmarrja e tri këshilltarëve të PS në mbledhjen e ditës së mërkurë dhe e një këshilltareje të LSI-së ka qenë e paligjshme. Pesë anëtarë dhe anëtare fillestare të Këshillit, tre të PS-së dhe dy të LSI-së, u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e qershorit dhe nuk janë më këshilltarë bashkiakë. Ndërkohë zëvendësuesit e tyre në Këshill nuk janë betuar ende, pra nuk janë ende këshilltarë.
Ish-këshilltarë që u bënë deputetë janë: Elisa Spiropali, Elona Gjebrea, Klotilda Bushka (Ferhati) të PS-së dhe Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi të LSI-së.
Kjo do të thotë se në fillimin të mbledhjes së ditës së mërkurë numri maksimal i këshilltarëve socialistë që mund të ishin të pranishëm në seancë ishte 22 nga 25 të zgjedhur. Duke i shtuar atyre këshilltarët e PDIU-së dhe FRD-së dhe Agim Krajën e LSI-së, këshilltar i cili theu bojkotin e LSI-së dhe mori pjesë në mbledhje, numri maksimal i këshilltarëve të ligjshëm që mund të merrnin pjesë në mbledhjen e ditës së mërkurë ishte 27, pra katër më pak se kuorumi i nevojshëm.
Bashkia Tiranë nuk ka bërë të ditur ende listën e pjesëmarrësve në mbledhjen e ditës së mërkurë të Këshillit dhe është e paqartë se kush janë katër individët e tjerë që kanë qenë në seancën e ditës së mërkurë për të bërë kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, po kushdo që të ketë qenë ka qenë në mënyrë të paligjshme.
Nëse kanë qenë ish-këshilltarët tashmë deputetë socialiste- Gjebrea, Spiropali apo Bushka- pjesëmarrja e tyre është e paligjshme për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tyre me çdo detyrë tjetër veç ministrit.
Gjykata Kushtetuese në rastin e deputetit Ilir Beqaj është shprehur qartë se mandati i deputetit fillon që në momentin e çertifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, pavarësisht se betimi i tyre vjen më pas. Për këtë arsye nuk ka asnjë dyshim ligjor se tre deputetet Gjebrea, Spiropali dhe Bushka nuk mund të ushtronin ditën e mërkurë asnjë kompetencë në Këshillin Bashkiak Tiranë. Nëse ndonjëra prej tyre ka marrë pjesë me gjasa rrezikon të humbasë edhe mandatin e deputetit.
Në mbledhjen e ditës së mërkurë nuk mund të merrnin pjesë as zëvendësueset e tyre dhe të dy deputetëve të LSI-së (Kërpaçi dhe Braimllari), pasi që ata të zyrtarizohen si këshilltarë duhet që të betohen përpara Këshillit dhe seanca e betimit kërkon kuorumin prej 31 anëtarësh, që nuk mund të arrihej pa pjesëmarrjen e të paktën katër këshilltarëve të PD-së ose të LSI-së dhe ditën e mërkurë ka patur vetëm një të LSI-së- Agim Kraja. Pa u betuar pjesëmarrja dhe vota e tyre do të ishte e paligjshme.
Ajo që dihet me siguri është se në seancë ka marrë pjesë dhe ka votuar Genta Mezini, zëvendësuese në parim e Floida Kërpaçit. Për arsyen e mësipërme pjesëmarrja e saj në mbledhje dhe vota e saj është e paligjshme. Ndërkohë që ka dyshime nëse zëvendësuesja legjitime e Kërpaçit është Mezini apo Lindita Veliasit, e cila është renditur më lart në listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë të LSI-së se Mezini dhe nëse nuk ka ndonjë pengesë tjetër i takon asaj të jetë zëvendësuese e Kërpaçit dhe jo Mezinit.
Të gjitha këto informacione do të sqarohen në ditët në vazhdim, por sidoqoftë paligjshmëria e mbledhjes së ditës së mërkurë të Këshillit Bashkiak në Tiranë është tashmë e provuar.
“Exit.al”