Kryetari i PD, Basha deklaroi dje se LSI dhe PDIU janë pjesë e koncesioneve klienteliste të qeverisë veçse tani në role të reja. Reagimi i Bashës erdhi një ditë pasi dy këshilltarë të LSI dhe këshilltarët e PDIU bashkuan votat për të rritur çmimin e ujit për qytetarët e Tiranës me 45%.
“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI.
Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja”, thotë Basha.
Kryetari i PD thotë se, PD është e vetmja forcë politike në mbrojtje të interesave të qytetarëve. “PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, thotë Basha.
Do të mjaftonte që të gjithë këshilltarët e PD-së dhe LSI-së të bojkotonin mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe për qytetarët e Tiranës çmimi i ujit do të mbetej i njëjtë. Të paktën përkohësisht. Kjo pasi 25 këshilltarët e PS-së, 3 të PDIU-së dhe 1 i FRD-së së Bamir Topit nuk do të plotësonin dot 31 kartonët e nevojshëm për kuorumin e hapjes së mbledhjes.
Mbledhja ishte thirrur për në orën 18.00 të së mërkurës, por ajo nuk po niste. Ishte e qartë që po punohej në prapaskenë. Ndërsa një grup qytetarësh protestonin para Bashkisë, kryetari i këshilltarëve të PD-së, Nard Olli u bënte thirrje kolegëve të LSI-së të mos merrnin pjesë në mbledhje për të bërë të pamundur nisjen e saj. Mbledhja nisi gati një orë më pas.
2 prej këshilltarëve të LSI-së u ulën në vendet e tyre. Agim Kraja dhe Genta Mezini që po të mërkurën bënë betimin si anëtarë të këtij këshilli dhanë votën e tyre “pro” rritjes së çmimit të ujit të pijshëm për kryeqytetasit duke plotësuar numrin magjik “31” të votave të nevojshme për të marrë vendim.
Por a janë Kraja dhe Mezini dy tradhtarë të LSI-së? Zv.kryetari Luan Rama komentoi në telefon për “News24” vendimin duke këmbëngulur se Kraja nuk ishte prej kohësh pjesë e LSI-së dhe se Genta Mezinin “nuk e njihte” megjithëse ishte bërë pjesë e Këshillit Bashkiak prej listës së partisë së tij. Rama përsëriste se LSI nuk e kishte votuar vendimin për rritjen e çmimit të ujit. 11 këshilltarë të LSI-së nuk hynë në sallë, por Veliajt i mjaftonin vetëm 2 vota. Pas marrjes së vendimit nuk pati asnjë deklaratë nga LSI për ndonjë masë për dy këshilltarët që kishin dalë nga rreshti dhe kishin vepruar kundër vendimit politik.
Vetë Agim Kraja deklaroi hapur në mbledhje të këshillit mbështetjen për draftin. Ai foli në emër të LSI-së, madje përmendi edhe takimin që patën këshilltarët e LSI-së një ditë më parë me Erion Veliajn. Pyetja “1 milion dollarëshe” që shtrohet pas asaj që ndodhi në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbrëmjen e së mërkurës është nëse ka pasur apo jo një pakt të fshehtë të Veliajt me LSI-në për të gjetur një mënyrë që rritja e çmimit të votohej, por edhe LSI të mos bënte figurë të keqe?
Ky ishte vetëm një moment që ndoshta shumë shpejt do të harrohet, por duket se LSI e ka nisur opozitën “me këmbën e mbarë”.