Përse vdesin shqiptarët? Sipas të dhënave të INSTAT një nga shkaqet më të frikshme të vdekjeve në Shqipëri vjen nga kequshqyerja. Niveli i lartë i pasigurisë ushqimore nga njëra anë dhe pamundësitë për t’u ushqyer shëndetshëm nga ana tjetër po vrasin përditë shqiptarët. E cilësuar si vrasësja e heshtur e shqiptarëve, pasigura ushqimore luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë dhe sëmundjet që prekin organizmin për shkak të produkteve të infektuara me baktere, viruse etj.
Sipas të dhënave të “Monitor.al” mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për shqiptarët. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë. Fermerët shqiptarë penalizohen me gati 100 milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat në BE.
Po sipas burimeve të INSTAT shihet se, vitin e kaluar 299 persona humbën jetën nga diabeti dhe sëmundjet endokrine në krahasim me 135 persona më 2015 me një rritje 122 për qind. Ministria e Shëndetësisë në një strategji të posaçme për administrimin e sektorit deri më 2020 argumenton se, në Shqipëri identifikohen tre faktorë kryesorë të rrezikut për barrën e sëmundshmërisë. Faktori i parë lidhet me rreziqet që vijnë nga dieta ushqimore. Faktori i dytë është hipertensioni arterial dhe i treti duhanpirja. Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri. Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70% të barrës totale të sëmundshmërisë.
Ministria e Shëndetësisë analizon se gjatë dy dekadave të fundit, niveli i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar. Megjithatë, evidencat tregojnë se shëndeti dhe mirëqenia nuk varen vetëm nga performanca e sistemit shëndetësor. Faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë, si të ardhurat, arsimimi, strehimi dhe mjedisi, kanë ndikim të fortë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë.