Një pjesë e draftit për ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi është kritikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Burime zyrtare bëjnë të ditur për “Top Channel” se një përfaqësi e këtyre prokurorëve kanë dorëzuar në Komisionin e Reformës në Drejtësi sugjerimet e tyre sesi duhet të trajtohen ata në draftin kushtetues.
Projekti parashikon shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pjesë e të cilës do të jetë edhe ajo që njihet si Byroja Kombëtare e Hetimit.
Por, siç thonë prokurorët, në projekt nuk parashikohet se çfarë do të ndodhë me ta dhe se këta prokurorë nuk trajtohen njësoj me gjyqtarët e Krimeve të Rënda.
Drafti përfundimtar, i hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë i mbron këta gjyqtarë, madje edhe në rastin kur ata nuk kalojnë me sukses provën e verifikimit të pasurisë. Kjo kategori gjyqtarësh transferohet në gjykatat e tjera, ndërsa për prokurorët e Krimeve të Rënda drafti nuk parashikon asgjë.
Aktualisht pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda funksionojnë 20 prokurorë, të cilët i kërkojnë komisionit të reformës që të paktën të trajtohen njësoj si gjyqtarët.
Prokurorët i kujtojnë Komisionit të Reformës se gjatë 10 viteve të fundit, ata kanë çuar para drejtësisë me dhjetëra persona të rrezikshëm, pjesë të krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe të grupeve terroriste, që vuajnë aktualisht dënimin me shumë vite burgim.