Lindita ÇELA
Një kompani bullgare me lidhje me figura të krimit të organizuar është në proces për të marrë me qira Kombinatin e Poliçanit, një ndërmarrje e industrisë ushtarake e trashëguar nga koha e komunizmit, ku vlerësohet se aktualisht gjendet një sasi e konsiderueshme metalesh me vlerë skrapi.
“BIRN” mësoi në shtator 2015 se, kompania bullgare “All Guns Ltd” ka bërë një kërkesë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për të marrë me qira kombinatin e Poliçanit, duke deklaruar se ka ndërmend ta rigjallërojë atë. Ministria e Ekonomisë mësohet se ka pyetur për këtë qëllim Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është pronare e Kombinatit të Poliçanit.
Pas një kërkese për të drejtë informimi nga ana e “BIRN”, Ministria e Mbrojtjes tha se i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë duke deklaruar se ajo është dakord me dhënien me qira. “BIRN” mësoi gjithashtu se plani është që kombinati të jepet me qira me vlerën simbolike prej 1 euro, si pjesë e deklaratave të qeverisë për nxitjen e investimeve në ekonominë shqiptare.
Por të dhëna të siguruara nga “BIRN” tregojnë se kjo kompani është e lidhur me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari.
“BIRN” ka mësuar gjithashtu se përveç kompanisë bullgare, dy kompani të mirënjohura amerikane që operojnë në fushën ushtarake ishin të interesuara për marrjen në shfrytëzim të Kombinatit së Poliçanit, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë.
Propozimi i bullgarëve konfirmohet edhe nga drejtori aktual i kombinatit – rivitalizimi i së cilit shihet me shpresë nga drejtuesit dhe ish-punëtorët e tij.
E pyetur nëpërmjet një kërkese me shkrim në lidhje me procedurën e ndjekur për dhënien me qira të kombinatit dhe hijet në të shkuarën e kompanisë “All Guns Ltd”, zyra e Kryeministrit Edi Rama premtoi nëpërmjet një zëdhënësi që akuzat kundër kompanisë bullgare do të verifikohen.
“Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit, si ministria përgjegjëse për gjallërimin e jetës ekonomike të vendit dhe përdorimin me efikasitet të pronës shtetërore, është duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme për rastin në fjalë përpara se të marrë vendimin përfundimtar”, tha nëpërmjet postës elektronike Endri Fuga, këshilltar i Kryeministrit për median.
Ndërkohë, “All Guns Ltd” nuk iu përgjigj disa kërkesave për koment në lidhje me projektet e saj për Kombinatin e Poliçanit dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Marrëveshja me bullgarët
Kombinati Mekanik Poliçan është një ndërmarrje shtetërore e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura shqiptare për armatim.
I vendosur në luginën poshtë qytezës së Poliçanit, rreth 20 kilometra nga Berati, kombinati është një nga tre uzinat ushtarake nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Dikur ky kombinat konsiderohej si një vepër e rëndësisë së veçantë nga regjimi komunist, por sot ish-fabrika e armëve është në degradim të plotë. Linjat e saj të prodhimit janë mbyllur dhe vetëm një grusht njerëzish në rang drejtues vazhdojnë të marrin rrogën.
Interesimi i kompanisë bullgare për marrjen në shfrytëzim të Kombinatit të Poliçanit daton që nga shtatori 2015. Që nga kjo periudhë, përfaqësuesit e “All Guns Ltd” kanë vizituar disa herë uzinën dhe kanë përpiluar një plan biznesi që është dorëzuar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes propozimi i “All Guns Ltd” në fillim është çuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit, MZHETTS, e cila ia ka përcjellë për vlerësim Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sa më sipër, Ministria e Mbrojtjes, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesës nga strukturat përgjegjëse, sipas VKM nr. 54, datë 05.02.2014, ka përcjellë praktikën pranë MZHETTS, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme”, i tha “BIRN” në një përgjigje me shkrim Artur Meçollari, drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Antikorrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Edhe pse kërkesa e kompanisë bullgare është miratuar nga një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë në vend, e kaluara e saj ngre pikëpyetje për procesin e ndërmarrë për ta verifikuar të kaluarën e saj.
Dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë që “All Guns Ltd” [emri i së cilës përkthehet nga alfabeti cirilik dhe si Alguns Ltd] është krijuar në vitin 2004 në Sofje nga një ish-tregtar skrapi i quajtur Alexander Dimitrov. Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie ka qenë tregtia e armëve.
Dimitrov ka qenë në të njëjtën kohë partner në biznes në kompaninë “SIB Metal”, me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari, Bojan Petrakiev Borisov, shpesh i thërritur me nofkën e tij “Barona”.
Sipas shefit të Departamentit të Krimit të Organizuar Ndërkufitar të Ministrisë së Brendshme bullgare Javor Kolev, Petrakiev është një kriminel karriere me një rekord kriminal që nga viti 1977.
“Petrakiev është një kriminel i njohur, me rekorde të rënda penale. Ai konsiderohet të jetë një përfaqësues i njohur i krimit të organizuar në Bullgari”, Kolev i tha portalit amerikan “Buzzfeed”, në dhjetor 2015.
Në një intervistë për “Buzzfeed”, Petrakiev tha që e njihte pronarin e “All Guns Ltd”, Alexander Dimitrev që nga vitet 1990, sepse të dy e kishin origjinën nga qyteti i Slivnitsa.
Sipas Petrakiev në vitin 2004, Dimitrov i kërkoi të bëheshin partnerë në “SIB Metal” dhe ai e prezantoi me “njerëz të fuqishëm”.
“Përpara se ta ndihmoja unë ai ishte askushi”, i tha Petrakiev “Buzzfeed”.
Ministria e Mbrojtjes i tha “BIRN” se, përveç kompanisë bullgare, “All Guns Ltd” “ka pasur disa vizita nga kompani të ndryshme”, për marrjen me qira ose koncesion të Kombinatit Mekanik Poliçan.
“Gjatë takimeve me këto kompani Ministria e Mbrojtjes është shprehur e gatshme për bashkëpunim dhe i ka ftuar kompanitë e interesuara të sjellin plan bizneset e tyre për të mundësuar rivalizimin e ndërmarrjeve ushtarake”, tha ministria.
“BIRN” ka mësuar se mes kompanive të interesuara janë dy kompani të mirënjohura amerikane në fushën ushtarake, “CUBIC” dhe “Howell Machine Technology”.
“CUBIC” ka punuar nga viti 2007 deri në vitin 2013 me Ministrinë e Mbrojtjes.
Përfaqësuesit e kësaj kompanie në Tiranë janë dekoruar në vitin 2013 me medaljen “Për shërbime të shquara” me motivacion: “Për kontributin e dhënë nëpërmjet ekspertizës dhe këshillimit për reformimin e mbrojtjes dhe zhvillimin e FA shqiptare”.
Por megjithatë tri burime të pavarura, të cilët folën në kushtet e anonimatit, i thanë “BIRN” që dy kompanitë amerikane ishin tërhequr pasi kishin mësuar se “All Guns Ltd” ishte paracaktuar si fitues.
Të kontaktuar nga “BIRN”, përfaqësuesit e “CUBIC” në Shqipëri nuk komentuan mbi procedurën e dhënies me qira te Kombinatit të Poliçanit.
Ëndrra për punë në Poliçan
Dy ushtarë të paarmatosur ruajnë vetëm derën kryesore të Kombinatit Mekanik Ushtarak të Poliçanit.
Nga sipërfaqja prej 75 hektarësh, me rreth 52,000 m2 të hapësirës së ndërtimit ku në mes të viteve ‘60-të u ndërtuan objektet e prodhimit të municioneve dhe depot e armatimit thuajse nuk ka mbetur asgjë. Shumica prej godinave janë të rrënuara.
Uzina në të cilën fillimisht u prodhuan fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundër këmbësorisë, predha të mortajave 82 mm, kapsolla detonatore, predha, djegore e deri fishekzjarrë, ngjan me një grumbull hekurishtesh. të cilat të zotët duan t’ia falin kërkuesit më të parë.
Rrënimi i kombinatit ka shkaktuar pasoja të rënda dhe në qytezën e Poliçanit, e krijuar me të ardhura nga zonat për rreth në funksion të nevojave të linjave të prodhimit të municioneve.
Deri në fund të viteve ‘80-të, mbi 3,500 banorë të zonës rezultonin si të punësuar në uzinën e municioneve, ndërsa aktualisht ajo është e vetmja shpresë për hapjen e vendeve të reja të punës në qytezë.
Në Poliçan, interesimi i treguar nga “All Guns Ltd” për ta rivënë në punë fabrikën është një “sekret” që dihet nga të gjithë.
Drejtori i kombinatit, Altin Lamçe i tha “BIRN” se ai e sheh këtë kompani si mundësinë e vetme të shpëtimit të ndërmarrjes, ku ai tashmë menaxhon vetëm një grusht njerëzish.
“Është e vërtetë që kompania bullgare ‘All Guns’ ka paraqitur propozimin për të marrë me qira kombinatin, por unë nuk mund të them më shumë detaje, deri në miratimin e plotë nga strukturat përkatëse të këtij propozimi”, tha Lamçe.
“Mund të them së projekti është një mundësi e mirë për vendosjen në punë të kombinatit dhe hapjen e shumë vendeve të punës, që për Poliçanin është mëse jetike”, shtoi ai.
Optimist për projektin është dhe Altin Mema, ish-inxhinier në kombinat dhe tani i papunë.
“Fabrikën e prodhimit të municioneve mund ta vësh në punë, me ato asete që ka kombinati”, tha Mema. “Ato janë [dhe] thjesht duhet t’u ngrihet paneli dhe vendosen në punë”, shtoi Mema, duke shpjeguar gjendjen teknike të kombinatit.
Sipas Memës “All Guns Ltd” ka plane të prodhojë fishekë të kalibrave të ndryshëm në Poliçan dhe do të hapë 300 deri në 800 vende pune.
“Kërkesat për armatim, qoftë dhe në Shqipëri janë rritur. Janë hapur tri poligone qitjeje dhe uzina mund t’i përmbushte shumë mirë nevojat e tregut vendas”, tha ai.
Jo të gjithë ish-punonjësit e kombinatit janë të entuziazmuar për projektet e bullgarëve. Disa prej tyre i thanë “BIRN” që kanë frikë se shumica e premtimeve të bullgarëve janë boshe dhe se dyshojnë se uzina do të shitet për skrap.
“Kompania që flitet që do të marrë kombinatin tonë është e specializuar me shitje të armëve dhe jo të prodhimit të tyre, ndaj dhe kemi dyshime se do e sheshin për skrap si Cërriku”, tha njëri prej ekspertëve të prodhimit të municioneve në Poliçan, i cili refuzoi të citohet me emër, duke iu referuar ish-Rafinerisë së Naftës në Cërrik, e cila u mor me koncesion për rindërtim nga kompania “Kurum”, por u shkri për skrap menjëherë pasi u firmos kontrata e koncesionit.
Një dokument vlerësimi i përgatitur nga kompania amerikane “CUBIC” mbi gjendjen e kombinatit, flet gjithashtu për vlerën e skrapit në Kombinatin e Poliçanit. Në dokument, tregohet se në kombinat ka ende rreth 2,200 pajisje prodhimi të panevojshme, të cilat mund të shiten për skrap duke siguruar rreth 1 milion euro.
Skeptik për të ardhmen e kombinatit është dhe kryetari i sindikatës së kombinatit Abedin Çela, i cili është larguar nga puna në gusht 2014. Ai ankohet që qysh në vitet ‘90 kombinati është drejtuar sipas orekseve politike.
“Drejtuesit janë marrë me anë partie ndaj ka shkuar keq uzina”, tha Çela. “Derisa emërimet janë bërë me anë partie, sigurisht që puna nuk do të shkojë mirë sepse ata kanë parë interesat e partisë së tyre”, shtoi ai.