Trafiku i drogës, 5 urdhër-arreste të reja për grupin e “Vilunit”

Grupi i cili trafikonte drogë nga Laguna e Vilunit ka qenë një ndër më të strukturuarit që ka hetuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. Deri më tani në periudha të ndryshme kohore janë arrestuar 11 persona. Të premten pasdite dhe këtë të shtunë Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka miratuar Prokurorisë edhe 5 urdhër-arreste të tjerë. Këta persona janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur në banesat e tyre.
Sipas Prokurorisë ata kanë patur rol aktiv në trafikimin e 700 kilogramëve kanabis, të cilat u sekuestruan në 2014 në Vilun. Identitetet nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor, por sqarohet veprimet e tyre janë zbuluar nga përgjimet. Vlen për t’u sqaruar se Gjykata e Shkallës së Parë nuk i miratoi urdhër-arrestet, të cilat detyruan Prokurorinë t’i drejtohej Apelit.
Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu deshën dy vjet hetime dhe bashkëpunim i ngushtë me autoritet italiane për të arrestuar 4 persona të tjerë, të cilët trafikonin kanabis drejt vendit fqinj nga Laguna e Vilunit. Tre vjet më parë u arrestuan 7 persona dhe u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vazhdon të jetë në kërkim Bardhok Pllanaj i cilësuar një prej njerëzve të rëndësishëm të këtij rrjeti.
Ndërsa në qershor u arrestuan Andi Mita, Kasëm Piluri, Altin Rramolli dhe Andrea Çaushi. Ky i fundit u lirua më pas nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Prokurorët thonë se këta persona kishin përgatitur trafikimin drejt Siçilisë të rreth 3.5 ton kanabis. Ky grup furnizonte familjet mafioze me kanabis në Siçili.

Artikulli paraprakKrushqit përleshen me thika, 2 të plagosur në Korçë
Artikulli tjetërDhunohet në spital kirurgu në Shkodër